Vendim i Komunës së Dragashit: Oborret e shkollave do të shfrytëzohen si parkingje pa pagesë gjatë verës
Komuna e Dragashit ka marrë vendim për miratimin e rekomandimit të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), i dalë nga mbledhja e 26 qershorit 2026, që parasheh shfrytëzimin e oborreve të të gjitha shkollave të komunës si parkingje pa pagesë për bashkatdhetarët dhe qytetarët. Sipas vendimit të nënshkruar nga kryetari i Komunës, Dr. Bexhet Xheladini, drejtorët e shkollave obligohen të lejojnë përdorimin e oborreve të shkollave për parkim falas në periudhën 1 korrik – 25 gusht 2026. Po ashtu, drejtorët e shkollave obligohen të angazhojnë nga një punëtor ndihmës për menaxhimin e parkingjeve gjatë kësaj periudhe. Ky vendim synon të lehtësojë qarkullimin dhe parkimin gjatë sezonit veror, kur numri i bashkatdhetarëve dhe vizitorëve në Komunën e Dragashit rritet ndjeshëm. /Dragash Info/