Fehim Sali dërgohet në paraburgim për një muaj, dyshohet për spiunazh
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka caktuar një muaj paraburgim për Fehim Salin, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “Spiunazhi”, sipas nenit 124, paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Vendimi është marrë më 14 gusht nga gjyqtari i procedurës paraprake, Kushtrim Shyti, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Paraburgimi do të llogaritet nga 13 gushti 2026, dita kur Sali u arrestua, dhe do të zgjasë deri më 13 shtator 2026. Sipas aktvendimit të gjykatës, ekziston dyshim i bazuar se Sali ka hyrë në shërbim informativ të huaj, ka mbledhur të dhëna për të apo në forma të tjera ka ndihmuar punën e këtij shërbimi. Hetimi ndaj tij, sipas gjykatës, është iniciuar pas një informacioni të pranuar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) më 20 qershor 2025, lidhur me aktivitetin e dyshuar të Salit dhe kontaktet e tij me Shërbimin Informativ të Serbisë – BIA. Në aktvendim thuhet se Sali dyshohet se ka pasur kontakte të vazhdueshme me Zhelimir Matoviç, i njohur me nofkën “Zheljko”, të cilin AKI e ka identifikuar si zyrtar të BIA-s që nga viti 2002. Sipas provave të paraqitura nga Prokuroria, Sali dyshohet se i ka ofruar Matoviçit informacione lidhur me situatën politike në Kosovë, ka ndërmarrë veprime për identifikimin dhe fotografimin e zyrtarëve të AKI-së, si dhe ka ofruar të dhëna për persona të caktuar dhe ka propozuar persona si objektiva të mundshëm për kontaktim apo rekrutim nga BIA. Po ashtu, sipas aktvendimit, ai dyshohet se ka ndërmjetësuar për çështje dhe dokumente të lidhura me institucionet e Serbisë dhe ka mbajtur kontakte me persona me ndikim politik e shoqëror në Kosovë dhe Serbi. Gjykata ka theksuar se vetëm kontakti me një zyrtar të një shërbimi të huaj nuk është i mjaftueshëm për të krijuar dyshim të bazuar për spiunazh. Megjithatë, në rastin e Salit, kontaktet janë vlerësuar së bashku me komunikimet, veprimet e dyshuara, masat e veçanta hetimore dhe provat e tjera të siguruara gjatë hetimit. Gjatë kontrollit të automjetit dhe shtëpisë së tij janë sekuestruar katër telefona celularë, dokumente relevante dhe rreth 40 mijë euro. Pajisjet elektronike pritet t’i nënshtrohen ekzaminimit forenzik. Gjykata ka konstatuar edhe rrezik të ikjes, duke marrë parasysh faktin se Sali ishte ndaluar më 13 gusht, rreth orës 04:00, në pikën kufitare në Merdare, gjatë daljes nga Kosova. Në këtë vlerësim është marrë parasysh edhe fakti se ai posedon shtetësi të Kosovës dhe të Serbisë dhe ka lidhje familjare në Serbi. Përveç rrezikut të ikjes, gjykata ka vlerësuar se ekziston edhe rreziku i ndikimit në dëshmitarë dhe prova, si dhe rreziku i përsëritjes së veprës penale. Mbrojtja e ka kundërshtuar kërkesën për paraburgim, duke argumentuar se Sali ka vendbanim të përhershëm në Kosovë, familjen dhe punën si mësimdhënës këtu, ndërsa udhëtimet e tij në Serbi kanë qenë për arsye familjare dhe personale. Sali vetë ka mohuar kryerjen e veprës penale. Megjithatë, Gjykata ka vlerësuar se masat më të buta, përfshirë arrestin shtëpiak, dorëzaninë apo paraqitjen në polici, nuk do të ishin të mjaftueshme për të siguruar praninë e tij dhe për të parandaluar pengimin e hetimeve. Burimi: Betimi për Drejtësi Vërejtje: Fehim Sali në këtë fazë konsiderohet i dyshuar dhe jo fajtor. Përgjegjësia penale mund të përcaktohet vetëm me vendim përfundimtar të gjykatës.