Detaje tronditëse për spiunin e dyshuar të BIA-s: Shfaqej pranë ish-presidentes, përkrahte Asociacionin
Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit (BIA), shërbimi serb i inteligjencës, dyshohet se ka arritur të depërtojë edhe në nivele të larta të institucioneve të Kosovës. Një fotografi e publikuar nga Presidenca e Kosovës në dhjetor të vitit 2023, ngre pikëpyetje në këtë drejtim. Fotografia e shkrepur rreth dy vjet më parë, shfaq të arrestuarin për spiunazh për BIA-n serbe, Fehim Salin, pranë ish-presidentes së Kosovës. Sali, i arrestuar të enjten në një operacion anti-spiunazh të autoriteteve kosovare, po merrte pjesë në një takim për fundvit të organizuar nga ish-presidentja Osmani me anëtarët e Këshillit Konsultativ për Komunitete. I dyshuari për spiunazh shërbente si anëtar i këtij këshilli. Pjesë e këshillit, i cili është një organ që operon nën autoritetin e Presidentit të Kosovës, Sali ishte emëruar me vendim të Vjosa Osmanit në nëntor të vitit 2022. Autoritetet kosovare dyshojnë se Sali ka bashkëpunuar me BIA-n serbe për një periudhë të gjatë, sipas një raportimi të Radio Televizionit të Kosovës. Në artikull, nuk specifikohet saktësisht periudha kohore e bashkëpunimit. Në një tjetër fotografi të publikuar në rrjetet sociale të enjten pas arrestimit të tij, Sali shfaqet në shoqërinë e zëvendëskryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq.
Aktualisht, Sali punonte si mësimdhënës në një institucion publik arsimor në fshatin Rapçë të Dragashit. Çka është Këshilli Konsultativ për Komunitete? Fehim Sali ishte emëruar anëtar i Këshillit Konsultativ për Komunitete me mandat dy-vjeçar. Caktimin e tij në këtë funksion e kishte dekretuar ish-presidentja Vjosa Osmani më 8 nëntor të vitit 2022. Sipas Ligjit për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të Tyre, anëtarët e këshillit emërohen në bazë të kandidimeve nga vetë komunitetet përmes organizatave të tyre përfaqësuese. Presidenti i emëron ata zyrtarisht si anëtar, thotë i njëjti Ligj. Fehim Sali përfaqësonte OJQ-në “Neven” në Këshillin Konsultativ për Komunitete, sipas një raporti të OSBE-së të emërtuar “Profilet e Komuniteteve në Kosovë”, i publikuar në vitin 2024. Roli kryesor i Këshillit Konsultativ është të shërbejë si urë komunikimi mes komuniteteve dhe institucioneve të Kosovës. Këshilli nuk është organ ekzekutiv. Ai është kryesisht një mekanizëm konsultimi dhe përfaqësimi i komuniteteve.
Kandidat në zgjedhjet lokale, përkrahte Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe Fehim Sali shtynte agjendën serbe në Kosovë që nga viti 2013, tregojnë paraqitjet e tij mediale. Si kandidat për Asamblenë Komunale të Dragashit në zgjedhjet e vitit 2013, ai zotohej se do të angazhohej që Komuna e Dragashit të bëhej pjesë e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, disa muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes për formimin e asociacionit në Bruksel. Sali garonte për asamble si pjesë e listës së koalicionit “Stranka Demokratske Akcije dhe Social-Demokratska Stranka Gore”, dy subjekte politike nga Dragashi. Në një debat televiziv të organizuar nga Medija Centar në Serbi, Sali deklaronte se koalicioni ka shtrirë dorën e tij për ndihmë edhe te Qeveria e Serbisë. “Po, do të angazhohemi që të futemi në bashkësinë e komunave serbe”, shtonte Sali në të njëjtin debat. Por, partia e tij nuk mblodhi votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e asamblesë në Dragash. Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Sali, që garoi me numrin dy në listën e koalicionit, mori 59 vota në zgjedhjet lokale të vitit 2013. Ai nuk garoi në zgjedhjet pasardhëse. https://youtu.be/3QRDdaFnfcI?si=D2qqZecFM4aPOrQ_