Lokale

Kryetari Xheladini përgënjeshtron pretendimet pas arrestimit të Feim Salit

13.08.2026. 3 min čitanja

  Behxhet Xheladini: Pretendimet që lidhin emrin tim, LDK-në dhe Komunën e Dragashit me rastin janë të pavërteta dhe shpifëse   Kryetari i Komunës së Dragashit, Behxhet Xheladini, ka reaguar ndaj disa shkrimeve të publikuara në rrjete sociale dhe portale, në të cilat emri i tij, LDK-ja dhe Komuna e Dragashit janë përmendur në lidhje me arrestimin e Feim Salit.   Përmes një reagimi publik, Xheladini i ka cilësuar këto pretendime si të pavërteta dhe shpifëse, duke thënë se ato kanë prapavijë politike dhe synojnë dëmtimin e imazhit të tij dhe të Qeverisë Komunale.   Sipas tij, Feim Sali nuk është punëtor i Komunës së Dragashit dhe nuk ka qenë asnjëherë pjesë e listës së pagave të institucioneve komunale. Xheladini ka mohuar gjithashtu pretendimet se Sali është mësimdhënës në sistemin arsimor të Republikës së Kosovës.   Kryetari ka deklaruar se është gjithashtu e pavërtetë çdo përpjekje për ta paraqitur Salin si bashkëpunëtor të Qeverisë Komunale. Sipas tij, Sali në vazhdimësi ka paraqitur në Komunë kërkesa për projekte të hidrocentraleve dhe paneleve solare, të cilat, siç thotë Xheladini, janë refuzuar nga institucionet komunale.   Lidhur me arrestimin e Feim Salit, kryetari i Dragashit ka theksuar se kjo çështje u takon organeve kompetente të drejtësisë dhe nuk është përgjegjësi e Komunës apo e kryetarit.   Xheladini ka paralajmëruar gjithashtu se do t’u drejtohet organeve kompetente për të denoncuar, siç ka thënë ai, çdo përpjekje për njollosjen e emrit të tij dhe të Komunës së Dragashit.   Në reagimin e tij, kryetari u ka bërë thirrje mediave, individëve dhe qytetarëve që të respektojnë faktet dhe të mos përdorin raste individuale për, siç është shprehur ai, qëllime politike.   “Asnjë shpifje dhe asnjë manipulim, përmes shpërndarjes së lajmeve të pavërteta, nuk do ta zhbëjë punën e bërë dhe të arriturat e Qeverisë Komunale të Dragashit”, ka deklaruar Xheladini.   Ky reagim vjen pas publikimeve të fundit që kanë lidhur emrin e Feim Salit me rastin e arrestimit të tij nën dyshimin për spiunazh.