URAN HALIMI: PËRKRAHIM PROTESTËN E BANORËVE PËR MUNGESËN E UJIT NË SHARR
Shefi i grupit të asambleistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Sharr, Uran Halimi, ka shprehur përkrahjen e tij për protestën e paralajmëruar nga banorët e lagjeve të qytetit të Sharrit, e cila pritet të mbahet nesër para objektit të Komunës së Dragashit. Halimi thotë se qytetarët tash e 10 ditë po përballen me mungesë të ujit të pijshëm, ndërsa, sipas tij, prej më shumë se tri ditësh probleme të theksuara me furnizim me ujë ka edhe QKMF-ja në Sharr. Ai ka ngritur shqetësime edhe lidhur me investimet në projektin e ujësjellësit, duke theksuar se qytetarët kanë paguar përmes taksave të tyre për investimet kapitale të realizuara gjatë viteve të fundit. “Qytetarët me taksat e tyre kanë paguar për 5 vite investimet kapitale të orientuara në projektin e ujësjellësit. Kjo do duhej t’ua lehtësonte furnizimin me ujë, e jo të kundërtën”, ka deklaruar Halimi. Në reagimin e tij, Halimi e ka cilësuar mungesën e ujit si një nga arsyet për të protestuar kundër qeverisjes aktuale, duke bërë edhe akuza për korrupsion ndaj saj. Protesta e qytetarëve është paralajmëruar të mbahet nesër, më 11 gusht, në ora 11:00, para Komunës së Dragashit. Dragash Info