SPIUNËT NDËRROJNË EMRA, SERBIA NUK E NDËRRON STRATEGJINË
Shkrim autorial nga Bedri Halimi Rasti i Fehim Salit, për të cilin është raportuar se ka pranuar veprimtarinë që i ngarkohet, nuk duhet parë vetëm si historia e një individi. Ai duhet të jetë kambanë alarmi për Kosovën dhe paralajmërim për secilin që, për para, shantazh, interes apo privilegj, pranon të bëhet vegël e një shërbimi të huaj kundër shtetit të vet. Shërbimet serbe kërkojnë medoemos njerëzit më pragmatikë. Më të vlefshëm mund t’i kenë ata që nuk bien në sy: njerëzit që mund të hyjnë diku, të fotografojnë një dokument, të sigurojnë një emër, të përcjellin një bisedë, të identifikojnë pjesëtarë të institucioneve të sigurisë apo të depërtojnë gradualisht në qarqe ku informacioni ka vlerë. Prandaj, fakti që emri i Fehim Salit nuk gjendet në listat e njohura të SPS-së apo JUL-it për Dragash nuk provon asgjë në vetvete. Madje, pikërisht një profil pa ekspozim të hapur politik mund të jetë më funksional për veprimtari të fshehtë. Me faktet tashmë të bëra publike, nëse vërtetohet se personi i arrestuar ka pasur si objekt interesi edhe pjesëtarët e AKI-së, atëherë çështja bëhet shumë më e rëndë. Fotografimi, identifikimi dhe përcjellja e njerëzve të sigurisë nuk janë “informacione të zakonshme”. Ato mund të rrezikojnë operacione, familje dhe jetë njerëzish. Por edhe më shqetësues është interesi për vehabizmin dhe radikalizmin fetar. Këtu duhet thënë prerazi: feja islame nuk është problemi dhe besimtari mysliman nuk është armiku. Keqpërdorimi politik i fesë është problemi. Çdo ideologji që përpiqet ta shkëpusë shqiptarin nga identiteti i tij kombëtar, ta ushqejë me urrejtje ndaj Amerikës dhe Evropës, ta paraqesë Perëndimin si armik dhe ta zëvendësojë tolerancën tradicionale shqiptare me fanatizëm politik, duhet kundërshtuar pa mëshirë intelektuale e politike. Sepse radikalizimi fetar mund t’i shërbejë pikërisht interesit të atyre që duan një Kosovë të izoluar nga aleatët e saj. Një Kosovë antiamerikane është ëndrra e kundërshtarëve të saj. Një Kosovë antiperëndimore është një Kosovë strategjikisht më e dobët. Një Kosovë ku identiteti kombëtar zëvendësohet nga fanatizmi është shumë më e lehtë për t’u përçarë dhe manipuluar. Dhe pikërisht këtu rasti i Fehim Salit duhet krahasuar me filozofinë politike që i atribuohet Dobrica Qosiqit, në librin Kohë gjarpinjsh. Citati është publikuar në këtë formë: «“Kosova nuk rikthehet me luftë. E vetmja mënyrë për ta rikthyer Kosovën është kur klima anti-amerikane fillon të zërë rrënjë në Kosovë. Kur shqiptarët ndihen të vetëmjaftueshëm dhe nacionalizmi për të mbajtur e ruajtur pushtet del para strategjisë amerikane e evropiane…”» Ky konstatim, pavarësisht debatit mbi burimin dhe autenticitetin e citimit, përdoret shpesh si ilustrim i një strategjie shumë më të rrezikshme sesa sulmi frontal: Kosova të dobësohet nga brenda. Të mbillet antiamerikanizëm. Të ushqehet ekstremizmi. Të përçahet shoqëria. Të komprometohen institucionet. Të mblidhen informacione për njerëzit e sigurisë. Dhe shqiptarët, gradualisht, të shtyhen të orientohen kundër atyre që ndihmuan lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Në këtë kuptim, një spiun nuk është vetëm njeriu që dorëzon një dokument. Ai mund të jetë një vidë e vogël në një makineri shumë më të madhe politike. Prandaj, rasti i Fehim Salit duhet të jetë paralajmërim për të gjithë ata që mendojnë se mund t’i shërbejnë fshehurazi Serbisë dhe njëkohësisht të mendojnë se mund të jetojnë të qetë nën mbrojtjen e shtetit të Kosovës. Koha e paprekshmërisë nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Jo vetëm në Kosovë, por në asnjë vend të botës. Kosova ka polici, prokurori, inteligjencë dhe institucione të veta. Çdo person që tenton të punojë kundër rendit kushtetues duhet të hetohet dhe, kur provohet fajësia, të përgjigjet para ligjit. Kushdo që shet informacionin e shtetit të vet duhet ta dijë se paratë mund të shpenzohen, por gjurmët mbeten. Dhe për të gjithë shpirtshiturit që vazhdojnë të besojnë se askush nuk i sheh, mesazhi duhet të jetë i qartë: Ndaluni sa nuk është bërë vonë. Mos e ngatërroni heshtjen e shtetit me verbërinë e tij. Mos e ngatërroni durimin e shtetit me dobësinë e tij. Dhe mos mendoni se shërbimi ndaj një shteti që punon kundër Kosovës mund të mbetet përgjithmonë pa përgjegjësi. Sepse strategjia që i atribuohet Qosiqit mund të synojë që Kosovën ta dobësojë nga brenda. Por realizimi i saj kërkon njerëz nga brenda. Dhe pikërisht këtu fillon tradhtia e individëve dhe nevoja për syçeltësi maksimale të shtetit. Sepse kur armiku ka argatët brenda, nuk i duhet të trokasë në derë — dikush nga brenda ia ka dhënë çelësin. © DRAGASH INFO