3,101 mësimdhënës rrezikojnë të mbesin jashtë listës së pagave, sipas GAP-it
Rreth 3,101 mësimdhënës në Kosovë mund të mbesin jashtë listës së pagave, si pasojë e mënyrës së re të financimit të grantit për arsim nga Qeveria e Kosovës. Bekim Salihu nga Instituti GAP ka deklaruar se këtë vit Qeveria ka vendosur të zbatojë më strikt kriterin e numrit të nxënësve për financimin e pozitave të mësimdhënësve, në vend që të mbështetet vetëm në listat e pagave të paraqitura nga komunat. Sipas Salihut, deri në vitin 2026 Ministria e Financave ka marrë për bazë listat e pagave të dërguara nga komunat, ndërsa nga ky vit, sipas tij, si Ministria e Arsimit ashtu edhe Ministria e Financave nuk do t’i konsiderojnë automatikisht këto lista si bazë për financim. Salihu ka theksuar se kriteret për raportin mes numrit të nxënësve dhe mësimdhënësve janë përcaktuar që në vitin 2013 përmes Udhëzimit Administrativ 22/13, por zbatimi i tyre, sipas tij, po bëhet në mënyrë më strikte vetëm tani. Sipas këtij kriteri, një mësimdhënës duhet të mbulojë mesatarisht 21 nxënës në komunat e mëdha, ndërsa në komunat e vogla 17 nxënës. “Nisur nga kjo formulë e vitit 2013, është bërë vlerësimi në vitin 2026 dhe ka dalë që aktualisht komunat mbajnë në punë 3,101 mësues më shumë sesa janë nevojat reale”, ka deklaruar Salihu në T7. Ai ka vënë në dukje edhe rënien e vazhdueshme të numrit të nxënësve në Kosovë. Sipas tij, nga viti 2010 deri më tani numri i nxënësve është zvogëluar për rreth 160 mijë, ndërsa vetëm nga viti 2020 deri në vitin 2026 rënia ka qenë rreth 30 mijë nxënës. Pavarësisht kësaj, Salihu thotë se numri i mësimdhënësve dhe stafit nëpër komuna ka vazhduar të rritet. Zbatimi i kësaj formule pritet të ndikojë drejtpërdrejt në planifikimin e stafit arsimor dhe në financimin e pagave të mësimdhënësve në nivel komunal.