Lokale

Vatan kundërshton rritjen e çmimit të mbeturinave në Dragash: “Qytetarët nuk duhet të paguajnë më shumë për një shërbim më të dobët”

25.06.2026. 3 min čitanja

Dragash – Partia Demokratike Vatan ka shprehur pakënaqësi dhe shqetësim të madh lidhur me mënyrën se si pushteti komunal, i përbërë nga LDK dhe SDU, ka miratuar ndryshimet dhe plotësimet e Rregullores për menaxhimin e mbeturinave, me të cilat parashihet rritja e çmimit të shërbimit të grumbullimit të mbeturinave nga 5.50 euro në 6.50 euro për amvisëri.   Përmes një reagimi publik, Vatan e ka cilësuar të papranueshme kërkesën që qytetarët të paguajnë më shumë për një shërbim që, sipas tyre, edhe sot nuk është i rregullt, cilësor dhe i qasshëm në të gjitha fshatrat në mënyrë të barabartë.   Partia njofton se delegati i saj ka lëshuar mbledhjen e Kuvendit Komunal, duke mos dashur t’i japë legjitimitet një procesi që, sipas tyre, nuk ka respektuar procedurat bazë. Ata vlerësojnë se para marrjes së një vendimi të tillë duhej të organizohej debat publik dhe takim me qytetarët, ashtu siç ishte vepruar së fundmi në Komunën e Prizrenit.   Vatan rikujton se rregullorja aktuale obligon ndërmarrjen publike që të sigurojë mbulim 100 për qind të territorit, grumbullim të rregullt të mbeturinave dhe qasje të barabartë në shërbime si për zonat urbane ashtu edhe ato rurale. Megjithatë, sipas tyre, në disa fshatra, veçanërisht gjatë periudhës së dimrit, kamionët për bartjen e mbeturinave nuk arrijnë me muaj të tërë për shkak të borës dhe vështirësive në terren.   Një tjetër shqetësim i ngritur nga kjo parti lidhet me masat ndëshkuese ndaj qytetarëve që vonohen në pagesa. Sipas reagimit, rregullorja parasheh mundësinë e angazhimit të përmbaruesve privatë për detyrimet e papaguara, ndërsa nuk përcakton pothuajse asnjë përgjegjësi për ndërmarrjen publike në rastet kur ajo nuk i kryen obligimet e saj.   “Kur qytetari vonohet me pagesën, përmenden menjëherë përmbaruesit, gjobat dhe inkasimi i detyrueshëm. Por kur ndërmarrja nuk e kryen punën e saj, nuk ka pasoja dhe as ulje të faturave për qytetarët”, thuhet në reagim.   Vatan thekson se ka qenë kundër rritjes së çmimit të shërbimit të mbeturinave që nga publikimi i rendit të ditës, duke kërkuar rishqyrtim të tarifave në favor të qytetarëve, llogaritje më të drejtë për fshatrat ku shërbimi nuk ofrohet rregullisht, si dhe transparencë të plotë dhe përfshirje të qytetarëve në procesin e vendimmarrjes.   “Qytetarët nuk janë të obliguar të paguajnë më shumë për një shërbim më të vogël. Nëse ndërmarrja publike pret pagesa të rregullta, atëherë edhe qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë shërbim të rregullt dhe cilësor”, përfundon reagimi i Partisë Demokratike Vatan.   /Dragash Info/