LVV Sharr kundërshton rritjen e tarifës së mbeturinave: “Goditje për buxhetin e familjeve”
Dragash, 25 qershor 2026 – Lëvizja Vetëvendosje, Qendra Sharr, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Kuvendit Komunal për rritjen e tarifës së grumbullimit të mbeturinave për ekonomitë familjare, duke e cilësuar atë si një barrë të re financiare për qytetarët. Sipas reagimit të LVV-së, me vendimin e miratuar nga ekzekutivi lokal, tarifa mujore e mbeturinave do të rritet nga 5.50 euro në 6.50 euro për ekonomitë familjare. Kjo është hera e dytë brenda mandatit aktual qeverisës që bëhet një rritje e tillë, pasi në vitin 2024 tarifa ishte rritur nga 4.50 euro në 5.50 euro. LVV ka theksuar se këshilltarët e saj komunalë kanë kundërshtuar vendimin në Kuvend Komunal, duke argumentuar se qytetarët kanë nevojë për më shumë shërbime dhe investime, e jo për kosto shtesë. Në reagim ngrihen edhe dilema lidhur me mënyrën e zbatimit të vendimit, pasi sipas LVV-së, rritja e tarifës prek vetëm ekonomitë familjare, ndërsa një pjesë e fshatrave dhe bizneset përjashtohen nga ky ndryshim. “Si mund të ketë selektivitet në vendime të tilla? Kjo duhet t’u sqarohet qytetarëve”, thuhet në reagim. Po ashtu, LVV vlerëson se mungesa e përmirësimeve konkrete në shërbimet e menaxhimit të mbeturinave dhe prania e deponive ilegale nëpër fshatra e bëjnë të pajustifikueshme rritjen e tarifës. Në fund të reagimit, Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar qeverisjen aktuale komunale, duke e cilësuar atë si të dëmshme për interesat e qytetarëve dhe duke shprehur angazhimin e saj për ndryshim politik në komunë. /Dragash Info/