Kuvendi Komunal i Dragashit miraton Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave dhe tarifat e reja të shërbimit
Dragash, 25 qershor 2026 – Kuvendi Komunal i Dragashit ka miratuar sot Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave, si dhe kërkesën e kompanisë përgjegjëse për rritjen e tarifës së shërbimeve të grumbullimit dhe menaxhimit të mbeturinave. Sipas diskutimeve të zhvilluara në seancë, ky vendim u prezantua si një hap drejt përmirësimit të pastërtisë publike, rritjes së efikasitetit të shërbimeve dhe krijimit të një ambienti më të pastër për qytetarët e komunës. Rregullorja u debatua gjerësisht nga anëtarët e Kuvendit Komunal. Shumica e diskutimeve nuk u fokusuan tek çmimi i ri i shërbimit, por tek cilësia e shërbimeve që ofron kompania, ku asambleistët ngritën nevojën për përmirësime dhe mbikëqyrje më të madhe të zbatimit të obligimeve ndaj qytetarëve. Gjatë debatit u trajtua edhe çështja e mbulimit të pagesave nga komuna për disa fshatra të caktuara. Disa asambleistë vlerësuan se mënyra aktuale e subvencionimit krijon trajtim të pabarabartë ndërmjet vendbanimeve dhe kërkuan rishikim të kësaj politike në të ardhmen. Pas votimit, rregullorja u miratua me tarifat e reja të propozuara. Për vitin aktual, bizneset nuk do të përfshihen në rritjen e tarifave, pas kërkesës së kryetarit të komunës. Sipas vendimit të miratuar: • Ekonomitë familjare do të paguajnë 6.50 euro në muaj, nga 5.50 euro sa ishte tarifa aktuale. • Qytetarët që nuk janë rezidentë me qëndrim të përhershëm në Kosovë do të paguajnë 30 euro në vit, ose 2.50 euro në muaj. Mbetet të shihet se si do të reflektohen tarifat e reja në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të menaxhimit të mbeturinave, një nga çështjet që u ngrit më së shumti gjatë diskutimeve në Kuvendin Komunal. /Dragash Info/