Botë

Tromp: Raporti i britanikëve shumë i rëndësishëm për gjyqin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

13.06.2026. 2 min čitanja

Ish-hetuesja në Tribunalin e Hagës, Nevenka Tromp, ka vlerësuar si tejet të rëndësishëm raportin britanik mbi Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke theksuar ndikimin që ai mund të ketë në prag të vendimit përfundimtar në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.   Duke folur për Klan Kosova, Tromp komentoi takimin e mbajtur së fundmi në Hagë, ku u prezantua raporti lidhur me funksionimin e Dhomave të Specializuara. Sipas saj, takimi kishte një audiencë të veçantë, të përbërë kryesisht nga këshilltarë ligjorë dhe zyrtarë të ambasadave të mëdha.   “Të enjten në Hagë ishte një takim shumë interesant, sepse audienca ishte shumë specifike dhe shumë e përshtatshme. Zyrtarë ligjorë dhe këshilltarë ligjorë të ambasadave të mëdha u ftuan për të bërë pyetje ndaj dy autorëve të raportit, si dhe ndaj Ombudspersonit të Kosovës mbi temat e trajtuara në analizën për Dhomat e Specializuara të Kosovës”, ka deklaruar Tromp.   Ajo theksoi se rëndësia e takimit qëndron jo vetëm te përmbajtja e raportit, por edhe te fakti se përfaqësuesit ndërkombëtarë tashmë janë familjarizuar me gjetjet e tij.   “Çështja më e rëndësishme ishte kush ishte audienca, çfarë pyetjesh u shtruan dhe fakti se të gjithë ata tani janë familjarizuar me përmbajtjen e këtij raporti të ndërmjetëm. Kjo është shumë e rëndësishme në pritje të aktgjykimit në rastin e Hashim Thaçit dhe të tjerëve”, tha ajo.   Raporti britanik për Dhomat e Specializuara ka nxitur diskutime të shumta në qarqet juridike dhe diplomatike, ndërsa vëmendja mbetet e përqendruar te vendimi përfundimtar i Gjykatës Speciale në Hagë.   /Dragash Info/