U mbajt dëgjimi i dytë buxhetor për Kornizën Afatmesme Buxhetore 2027-2029 në Dragash
Sot në Komunën e Dragashit u mbajt dëgjimi i dytë buxhetor në kuadër të Kalendarit të Dëgjimeve Buxhetore për Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) 2027-2029. Gjatë takimit, Drejtori i Financave, Qamil Kolloni, dhe Shefi i Zyrës për Komunitete, Uzair Hamza, prezantuan ndarjet e planifikuara buxhetore për vitin 2027, si dhe projeksionet për vitet 2028 dhe 2029, në përputhje me Qarkoren e Parë Buxhetore të Ministrisë së Financave. Sipas prezantimit, vëmendje e veçantë iu kushtua investimeve kapitale, granteve specifike për sektorët e arsimit dhe shëndetësisë, si dhe ndarjes së drejtë dhe proporcionale të buxhetit ndërmjet komunitetit shumicë dhe komuniteteve joshumicë në komunë. Pas prezantimit të Kornizës Afatmesme Buxhetore, pjesëmarrësit patën mundësinë të paraqesin kërkesat, sugjerimet dhe propozimet e tyre lidhur me prioritetet buxhetore për periudhën e ardhshme. Përfaqësuesit komunalë, në emër të tyre dhe të Kryetarit të Komunës, Bexhet Xheladini, falënderuan të gjithë qytetarët dhe përfaqësuesit e komuniteteve për pjesëmarrjen aktive dhe kontributin e tyre në procesin e planifikimit të përbashkët të buxhetit komunal.
/Dragash Info/