DITA E DIASPORËS SË GORËS DO TË MBAHET MË 1 GUSHT, NË NJË LOKACION TË RI
OJQ “BISER”ka njoftuar se më 1 gusht do të organizohet manifestimi tradicional “Dita e Diasporës së Gorës”, pasi ka siguruar mbështetjen e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal për realizimin e këtij aktiviteti. Përmes një njoftimi publik, organizatorët kanë bërë të ditur se gjatë tre viteve të fundit manifestimi është mbështetur edhe nga Komuna, ndonëse, sipas tyre, organizimi është shoqëruar me pengesa dhe sfida të ndryshme. Ata shprehen se shpresojnë që në të ardhmen të ketë mbështetje të barabartë për të gjithë ata që kontribuojnë në ruajtjen e kulturës, traditës dhe identitetit të Gorës. Një nga risitë e këtij edicioni është ndryshimi i lokacionit. Me vendim të Bordit Organizativ dhe Shoqërisë Dramatike Folklorike “BISER”, manifestimi i sivjetmë do të mbahet në segmentin nga Košća drejt Oblës, në rrugën e Brodit, duke marrë parasysh sugjerimet dhe rekomandimet e qytetarëve. Organizatorët bëjnë të ditur se gjatë gjithë vitit kanë punuar në përgatitjen e këtij aktiviteti dhe kanë bashkëpunuar me miq e institucione që kontribuojnë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Gorës. Në program do të marrin pjesë ansamble dhe shoqëri kulturo-artistike nga vende të ndryshme të rajonit: – KUD Borska Duša – KUD Šarski Behar – KUD Mavi Leleler – Qendra Zhupë – Grupi Folklorik Breznica – KUD Strateška bošnjačka organizacija za Evropu – OOU “Blaže Koneski”, Skudrinje, Komuna e Mavrovës dhe Rostushës – KUD Jedinstvo, Sjenicë – DFD “BISER”, Restelicë – Grupi muzikor Braća Muška Në deklaratën e tyre, organizatorët theksojnë se misioni i tyre është ruajtja e trashëgimisë kulturore të Gorës dhe se kjo veprimtari do të vazhdojë pavarësisht sfidave. Gjatë manifestimit do të ndahen mirënjohje për personalitete që kanë dhënë kontribut të veçantë në krijimtarinë artistike dhe kulturore: – Shaban Abdula – Sejdija Ajdarlar (pas vdekjes) – Ibazer Pelivani – Fadilj Imeri – Mevaip Koska – Nazif Dokle (pas vdekjes) – Ramazan Memishi – Hajdar Danjolli – Ekrem Balje – Ajša Seferi Ahmeti – Julija Hočko Zulfikari – Hasidin Bero Një mirënjohje e veçantë do t’i ndahet edhe ekipit të aktorëve të filmit “Ovčarce”, ndërsa vizitorët do të kenë mundësi të ndjekin edhe një interpretim skenik të frymëzuar nga ky film. Për herë të parë do të shpallet edhe “Personaliteti i Vitit 2026”, emri i të cilit do të bëhet publik më 1 gusht. Po ashtu, organizatorët do të nderojnë edhe futbollistët e rinj Latif Toro dhe Bilal Šerifi, për sukseset e tyre në sport. Në fund të njoftimit, OJQ “BISER”fton të gjithë qytetarët, diasporën dhe miqtë e Gorës që t’i bashkohen manifestimit më 1 gusht, për të festuar së bashku Ditën e Diasporës së Gorës me këngë, valle, kulturë dhe frymë bashkimi. Burimi: Njoftimi i OJQ-së “BISER”.