Lazar Raduloviqi me kritika ndaj Emilija Rexhepit, vazhdojnë përplasjet politike brenda komuniteteve pakicë
Tensionet politike ndërmjet përfaqësuesve të komuniteteve pakicë në Kosovë vazhdojnë të jenë të pranishme në skenën publike. Lazar Raduloviqi, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës në mandatin e kaluar nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë (SPO), e udhëhequr nga Nenad Rašić, ka reaguar përmes rrjeteve sociale me kritika të drejtuara ndaj kryetares së Partisë së Re Demokratike, Emilija Redžepi. Në deklaratën e tij, Raduloviqi ka ngritur pyetjen se pse, sipas tij, Redžepi po humb mbështetjen e një pjese të votuesve të komunitetit që përfaqëson. Ai gjithashtu ka pretenduar se ajo ka pasur bashkëpunim të ngushtë me Listën Serbe dhe Milan Radoiçiqin, akuza për të cilat nuk ka ofruar dëshmi në reagimin e publikuar. Sipas Raduloviqit, përmes paraqitjeve dhe deklaratave në media po tentohet të arsyetohen veprime të caktuara politike. Në fund të reagimit të tij ai ka shkruar: “Nëse do të jetë e nevojshme, do të them publikisht se çfarë duhet të arsyetoni”. Deklarata ka nxitur reagime dhe diskutime në rrjetet sociale, duke rikthyer debatin politik ndërmjet përfaqësuesve të komuniteteve pakicë në Kosovë. Redaksia e Dragash Info mbetet e hapur për publikimin e qëndrimeve, përgjigjeve dhe reagimeve të të gjitha palëve të përmendura në këtë çështje, në funksion të informimit të drejtë, profesional dhe të balancuar të publikut. /Dragash Info/