Qendrore

Auditimi i BE-së: Hekurudhat e Kosovës në gjendje më të keqe se para investimeve milionëshe

11.06.2026. 2 min čitanja

  Një raport i fundit i Gjykatës Evropiane të Auditorëve ka nxjerrë në pah probleme serioze në sektorin hekurudhor të Kosovës, duke konstatuar se gjendja e rrjetit hekurudhor në vitin 2025 është më e keqe sesa para fillimit të investimeve të mëdha të Bashkimit Evropian më shumë se një dekadë më parë. Sipas raportit, pavarësisht dhjetëra milionë eurove të investuara për rehabilitimin e linjave hekurudhore, asnjë nga projektet kryesore të audituara në Kosovë nuk është përfunduar sipas standardeve të rrjetit evropian të transportit (TEN-T). Auditimi përfshin dy projekte kryesore hekurudhore në Kosovë, me vlerë totale grantësh prej mbi 55 milionë eurosh, të miratuara nga BE-ja në vitet 2015 dhe 2016. Këto projekte mbulojnë mbi 100 kilometra të rrjetit hekurudhor që lidh Kosovën me vendet e rajonit dhe rrjetin evropian të transportit. “Gjetja më kritike për Kosovën është se, në qershor 2025, gjendja e hekurudhës ishte më e keqe sesa para fillimit të projektit”, thuhet në raport. Auditorët theksojnë se transporti hekurudhor në këtë korridor është ndërprerë që nga viti 2020, pas dëmtimeve dhe shembjeve të disa tuneleve gjatë punimeve. Po ashtu, sinjalizimi dhe elektrifikimi nuk ishin funksionalë në kohën e auditimit, ndërsa për segmentin verior të linjës nuk ekziston ende një afat i qartë për fillimin e punimeve. Raporti vlerëson se vonesat e mëdha në realizimin e projekteve dhe mungesa e gatishmërisë për zbatim rrezikojnë seriozisht objektivin e Bashkimit Evropian për përfundimin e rrjetit kryesor hekurudhor në Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2030. Probleme të ngjashme janë evidentuar edhe në Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, ku projektet hekurudhore po përballen me vonesa, pengesa politike dhe sfida në zbatim. /Dragash Info/