Qendrore

Kreu i Odës Amerikane: Furnizimi nga Vlora është mundësi, por jo zëvendësim për gazin në Kosovë

13.06.2026. 2 min čitanja

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka vlerësuar se qasja e Kosovës në gazin natyror do të përbënte një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë energjetike dhe zhvillimit ekonomik të vendit.   Në një deklaratë për mediat, Zeka theksoi se Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon që ende nuk ka qasje në rrjetet e gazit natyror, duke nënvizuar nevojën për zgjerimin e opsioneve energjetike.   Sipas tij, gazi natyror nuk duhet të shihet si zëvendësim i burimeve ekzistuese të energjisë, por si një instrument shtesë që rrit sigurinë, fleksibilitetin dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë.   “Duke pasur parasysh remontet e ardhshme të kapaciteteve ekzistuese, rritjen e kërkesës për energji dhe nevojën për tërhequr investime të reja, vendi duhet të sigurojë sa më shumë opsione energjetike”, ka deklaruar Zeka.   Lidhur me deklaratën e Kryeministrit Albin Kurti se gazi amerikan mund të dërgohet në Vlorë dhe më pas të shfrytëzohet nga Kosova, Zeka vlerësoi se bashkëpunimi energjetik Kosovë–Shqipëri mbetet një histori suksesi që duhet të forcohet më tej.   Megjithatë, ai theksoi se prioritet strategjik i Kosovës duhet të mbetet zhvillimi i kapaciteteve të veta prodhuese dhe jo varësia afatgjatë nga importi i energjisë elektrike.   Sipas tij, përdorimi i gazit të lëngshëm amerikan (LNG) për prodhimin e energjisë në Vlorë mund të krijojë një mundësi shtesë furnizimi për Kosovën, por kjo nuk duhet të zëvendësojë nevojën që vendi të ketë qasje direkte në gaz për prodhim vendor, industri dhe zhvillim ekonomik.   Zeka theksoi se përfitimet nga qasja në LNG amerikan janë si ekonomike ashtu edhe strategjike, pasi do të mundësonin diversifikimin e burimeve të energjisë, rritjen e sigurisë energjetike dhe afrimin e mëtejshëm të Kosovës me partnerët e saj strategjikë.   /Dragash Info/