Selimi: Marrëdhëniet Kosovë–SHBA në nivelin më të ulët historik
Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, ka vlerësuar se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndodhen në nivelin më të ulët në historinë moderne të vendit. Në një intervistë për media, Selimi tha se Kosova po merr mesazhe të vazhdueshme nga administrata amerikane se nuk është në drejtimin e duhur, duke përmendur ndër të tjera pezullimin e dialogut për marrëveshje strategjike dhe mungesën e emërimit të ambasadorit amerikan në Kosovë. Sipas tij, edhe paralajmërimet për mundësitë e humbura në investimet energjetike amerikane në rajon përbëjnë sinjale të qarta për gjendjen aktuale të raporteve mes dy vendeve. “Marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së kurrë në historinë moderne të Kosovës nuk kanë qenë në pikë më të ulët”, deklaroi Selimi. Ai ngriti shqetësime edhe për përfaqësimin diplomatik të Kosovës në Uashington, duke theksuar se Ambasada e Kosovës atje ka staf të kufizuar krahasuar me disa misione të tjera diplomatike. Selimi komentoi gjithashtu pjesëmarrjen e ulët të qytetarëve në zgjedhjet e fundit, duke vlerësuar se mbajtja e disa proceseve zgjedhore brenda një periudhe të shkurtër, së bashku me sfidat ekonomike dhe rënien e besimit në institucione, kanë ndikuar në mospjesëmarrjen e qytetarëve. /Dragash Info/