Lokale

Shefi i Grupit të Kuvendarëve të PDK-së propozon seancë të jashtëzakonshme për anulimin e vendimit për deponinë në Rrenc

12.07.2026. 3 min čitanja

Dragash – Shefi i Grupit të Kuvendarëve të PDK-së në Kuvendin Komunal të Dragashit, Granit Rifaj, ka reaguar publikisht lidhur me debatin për ndërtimin e deponisë inerte në fshatin Rrenc, duke e cilësuar këtë çështje si një shqetësim serioz publik që kërkon përgjegjësi institucionale dhe zgjidhje të qëndrueshme.   Në reagimin e tij, Rifaj vlerëson se, duke qenë se Kryetari i Komunës ka deklaruar se nuk ka kompetencë ligjore për ta ndalur projektin pasi vendimi është marrë nga Kuvendi Komunal, atëherë zgjidhja duhet të kërkohet pikërisht në institucionin që e ka miratuar atë.   Ai propozon thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Dragashit, me një pikë të vetme të rendit të ditës: shqyrtimin dhe anulimin e vendimit për ndërtimin e deponisë inerte në lokacionin e fshatit Rrenc.   Sipas Rifajt, asnjë vendim që ndikon drejtpërdrejt në jetën, shëndetin, mjedisin dhe mirëqenien e qytetarëve nuk duhet të vazhdojë pa mbështetjen e komunitetit lokal. Ai thekson se anulimi i vendimit nuk duhet të shihet si humbje institucionale, por si një akt përgjegjësie politike dhe demokratike.   Më tej, ai propozon që pas anulimit të vendimit të nisë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës me pjesëmarrjen e banorëve, ekspertëve dhe institucioneve kompetente për identifikimin e lokacioneve alternative që plotësojnë kriteret ligjore, teknike dhe mjedisore.   Si zgjidhje afatgjatë, Rifaj propozon planifikimin e dy deponive inerte, një për trevën e Opojës dhe një për trevën e Gorës, duke argumentuar se një model i tillë do të siguronte shpërndarje më të drejtë të barrës, efikasitet më të madh në menaxhimin e mbetjeve dhe pranueshmëri më të lartë nga komunitetet lokale.   Në fund të reagimit, Shefi i Grupit të Kuvendarëve të PDK-së u bën thirrje të gjitha grupeve politike në Kuvendin Komunal të Dragashit që të mbështesin këtë iniciativë, duke vendosur interesin publik mbi çdo interes partiak.   “Interesi publik duhet të jetë gjithmonë mbi çdo kalkulim politik”, përfundon reagimi i Granit Rifajt.   / Dragash Info /