Blloqe ndërtimore bien në rrugën Zhur–Dragash, gjobiten shoferi dhe kompania
Disa blloqe ndërtimore kanë rënë në rrugën Zhur–Dragash, në segmentin e njohur si “Laku i Keq”, duke paraqitur rrezik për pjesëmarrësit në trafik dhe duke penguar përkohësisht qarkullimin. Rasti është raportuar rreth orës 11:00, ndërsa patrulla e Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor në Prizren ka dalë në vendngjarje pas informacionit se blloqet kishin rënë nga një mjet transportues. Sipas Policisë së Kosovës, drejtuesi i kamionit kishte vazhduar lëvizjen pa u ndalur. Në bashkëpunim me Policinë e Stacionit në Dragash, kamioni me targa vendore është ndaluar. Automjeti ishte në pronësi të një kompanie nga Prizreni. Për rastin, Policia ka shqiptuar fletëparaqitje për kundërvajtje ndaj drejtuesit të mjetit dhe personit juridik, në bazë të Ligjit për Trafikun Rrugor 08/L-186. Ndërkohë, blloqet ndërtimore janë larguar nga rruga nga kompania përgjegjëse, duke mundësuar normalizimin e qarkullimit. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për parandalimin e rreziqeve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.