M.Sc. Miftar Tërshnjaku mbështet banorët e Rrencit: Deponia të mos ndërtohet në dëm të tokës bujqësore dhe shëndetit publik
M.Sc. Miftar Tërshnjaku ka reaguar lidhur me planifikimin e ndërtimit të deponisë së mbeturinave në fshatin Rrenc, duke shprehur mbështetjen e tij për shqetësimet e banorëve dhe duke kërkuar rishqyrtimin e vendimit nga institucionet përgjegjëse. Sipas tij, menaxhimi i mbeturinave është një domosdoshmëri për çdo shoqëri, por lokacioni i një deponie duhet të zgjidhet vetëm pas analizave profesionale dhe në përputhje me kriteret mjedisore e ligjore. Si ekspert i bujqësisë, Tërshnjaku vlerëson se vendosja e një deponie pranë zonave të banuara dhe tokave bujqësore mund të paraqesë rrezik për ndotjen e tokës, ujërave nëntokësore, ajrit dhe të ketë pasoja për shëndetin e banorëve. Ai thekson se toka bujqësore është një pasuri strategjike që duhet mbrojtur, pasi prej saj varet prodhimi i ushqimit dhe mirëqenia e brezave të ardhshëm. Në reagimin e tij, M.Sc. Miftar Tërshnjaku u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që ta rishikojnë me seriozitet këtë projekt, duke u mbështetur në ekspertiza profesionale, në vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe në interesin e komunitetit lokal. “Nuk jemi kundër zgjidhjes së problemit të mbeturinave, por kundër vendosjes së tyre në një lokacion që mund të dëmtojë fshatin, tokën bujqësore dhe shëndetin e qytetarëve. Mbrojtja e mjedisit dhe e tokës sonë është përgjegjësi e të gjithëve”, thuhet në qëndrimin e tij. / Dragash Info /