“Little Albania” futet në hartën zyrtare të New York-ut, mungesa e “Little Italy” shkakton reagime
NEW YORK – Bashkia e New York-ut ka përfshirë zyrtarisht “Little Albania” në hartën e enklavave të emigrantëve të qytetit, duke e njohur lagjen shqiptare në Bronx si një nga zonat që pasqyrojnë historinë dhe identitetin kulturor të komuniteteve emigrante. “Little Albania” renditet mes 30 lagjeve të identifikuara në pesë bashkitë e New York-ut, ku prej dekadash jeton dhe vepron një nga komunitetet më të mëdha shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, publikimi i hartës ka nxitur reagime nga komuniteti italo-amerikan, pasi në të nuk është përfshirë “Little Italy”, një nga lagjet më të njohura historikisht në New York. Përfaqësues të komunitetit, politikanë lokalë dhe drejtues institucionesh kulturore e kanë cilësuar këtë si një lëshim të pajustifikuar, duke theksuar kontributin e madh të emigrantëve italianë në zhvillimin e qytetit. Sipas raportimit të New York Post, pavarësisht polemikave, “Little Albania” mbetet pjesë e hartës zyrtare, së bashku me lagje të tjera të njohura si Koreatown, Chinatown, Little Ukraine, Little Guyana, Little Pakistan dhe Little Yemen. Bashkia e New York-ut ka bërë të ditur se harta synon të dokumentojë dhe njohë lagjet që janë formuar dhe identifikuar ndër vite nga komunitete të ndryshme emigrantësh, duke reflektuar mozaikun kulturor të qytetit. Burimi: New York Post