“Uji nuk është propagandë, as premtim elektoral” – Artan Loshaj kritikon gjendjen në Brezne
Problemi me furnizimin me ujë të pijshëm në fshatin Brezne ka rikthyer përplasjet politike rreth projektit të furnizimit me ujë në Komunën e Dragashit. Asambleisti i PDK-së në Kuvendin Komunal të Dragashit, Artan Loshaj, përmes një postimi në rrjetet sociale ka kritikuar gjendjen aktuale në Brezne, duke iu referuar edhe deklaratave të mëhershme për përmirësimin e furnizimit me ujë. “Fjalët e forta në fushatë, por sot shikoni realitetin e hidhur në Brezne! Uji nuk është propagandë, as premtim elektoral. UJI ËSHTË JETË. Edhe sa duhet të presin qytetarët, kryetar?”, ka shkruar Loshaj. Në postimin e tij, ai ka publikuar edhe fotografi që paraqesin situatën në terren, ndërsa ka rikujtuar një deklaratë të kryetarit të Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, lidhur me furnizimin me ujë të pijshëm për banorët e Breznës. Në një nga materialet e publikuara, kryetari Xheladini shprehet se furnizimi me ujë të pijshëm do të përbënte një arritje të madhe për fshatin, duke e lidhur atë me projektin e madh të furnizimit me ujë për 15 fshatra dhe qytetin e Dragashit. Kritika e Loshajt vjen në një periudhë kur furnizimi me ujë mbetet një prej çështjeve më të diskutuara nga qytetarët e Komunës së Dragashit. Nga institucionet komunale dhe operatori përgjegjës për furnizimin me ujë pritet sqarim mbi gjendjen aktuale në Brezne, arsyet e ndërprerjeve dhe afatin për normalizimin e furnizimit.