Lokale

LVV Sharr ngre shqetësime për kontratën 8,170 euro për vazot me lule në Dragash

24.08.2026. 3 min čitanja

Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Sharr ka ngritur shqetësime lidhur me një kontratë të Komunës së Dragashit për vendosjen dhe mirëmbajtjen e vazove me lule në qytet, me vlerë të deklaruar prej 8,170 euro.   Sipas dokumentacionit të publikuar nga LVV Sharr, kontrata është nënshkruar më 21 qershor 2024 ndërmjet Komunës së Dragashit dhe operatorit ekonomik ARD COM SH.P.K., për projektin “Vendosja e vazove ekzistuese lëvizëse nga betoni në rrethojën e Komunës dhe trotuare”, me kohëzgjatje prej tre vitesh.   Në dokument parashihet furnizimi me 150 vazo, transporti dhe vendosja e tyre, si dhe furnizimi me dhe, mbjellja e luleve dhe mirëmbajtja e vazove. Dokumenti përfshin gjithashtu pastrimin, ujitjen, plehërimin, krasitjen dhe mirëmbajtje të tjera gjatë periudhës së kontratës.   LVV Sharr pretendon se gjendja aktuale e vazove në qytet nuk përputhet me shërbimet e parapara në kontratë. Fotografitë e publikuara nga kjo parti tregojnë vazo të dëmtuara, të thyera, të neglizhuara dhe me bimësi të pa mirëmbajtur.   Partia kërkon sqarime nga Komuna dhe përgjegjësi në rast se, sipas saj, janë paguar shërbime të cilat nuk janë realizuar në terren.   Një mospërputhje vërehet edhe në vetë dokumentacionin e publikuar. Në tabelën e paramasës janë paraqitur shtatë pozicione me shuma të veçanta, të cilat, nëse mblidhen, japin një vlerë dukshëm më të lartë se totali prej 8,170 euro, i shënuar në fund të dokumentit dhe në kontratë. Kjo mospërputhje kërkon sqarim zyrtar nga Komuna lidhur me mënyrën e përllogaritjes dhe vlerën përfundimtare të kontratës.   LVV Sharr e ka cilësuar këtë kontratë si pjesë të shqetësimeve të saj për mënyrën e menaxhimit të parasë publike në Komunën e Dragashit.   Dragash Info ka publikuar dokumentacionin e ofruar nga LVV Sharr si pjesë të këtij raportimi. Pretendimet e kësaj partie nuk përbëjnë të dhëna të verifikuara në mënyrë të pavarur nga redaksia. Komuna e Dragashit dhe operatori ekonomik kanë të drejtë të japin sqarimet e tyre lidhur me kontratën, realizimin e shërbimeve dhe gjendjen aktuale të vazove.