Gjendja e “rrugës unazore” në Dragash, qytetari i drejtohet kryetarit me pyetje publike
Qytetari Myzafer Qusaj kritikon gjendjen e “rrugës unazore”në Dragash, kërkon investime konkrete Një qytetar i Dragashit, Myzafer Qusaj, ka reaguar publikisht lidhur me gjendjen e të ashtuquajturës “rrugë unazore”në qytetin e Dragashit, duke ngritur shqetësime për infrastrukturën rrugore dhe duke kërkuar më shumë investime nga institucionet komunale. Në reagimin e tij, Qusaj shkruan: «”RRUGA UNAZORE”E DRAGASHIT 🤣⁉️ “Mirë që e quani ‘rrugë unazore’, por në realitet ajo është një nga rrugët më të këqija për qarkullim. Prej disa vitesh, gjatë sezonit veror, segmenti nga Stacioni i Autobusëve deri te ndërtesa e Kuvendit Komunal, rreth 400 metra, shndërrohet në rrugë njëkahëshe për shkak të gjendjes dhe ngarkesës së saj. Pyetja ime për kryetarin e komunës është e thjeshtë: pse gjatë pesë viteve në pushtet nuk është ndërmarrë asnjë hap serioz për të krijuar një alternativë më të mirë? Apo Dragashi nuk është prioritet? Sepse është e lehtë të vish në orën 07:00 me veturë zyrtare dhe të largohesh në orën 15:00, pa u shqetësuar për dëmet që u shkaktohen qytetarëve. A e keni menduar ndonjëherë se shumë qytetarë qarkullojnë me veturat e tyre, të cilat kanë kushtuar 50,000 apo 100,000 euro, dhe detyrohen të kalojnë në një rrugë që mezi i plotëson kushtet për qarkullim normal? Deri kur do të vazhdojë kjo neglizhencë ndaj investimeve të mirëfillta në Dragash? Qytetarët meritojnë infrastrukturë të denjë, jo arsyetime.”» Ky reagim është bërë publik në rrjetet sociale dhe i bashkohet shqetësimeve të ngritura nga qytetarë të tjerë lidhur me gjendjen e infrastrukturës rrugore në qytetin e Dragashit. Dragash Info do të publikojë edhe qëndrimin e institucioneve komunale lidhur me këtë çështje, nëse ato reagojnë.