Asambleisti i PDK-së Artan Loshaj i bën thirrje kryetarit të Dragashit të tërhiqet nga projekti i deponisë në Rrenc: “Reflektoni dhe kërkoni falje publike”
Debati rreth ndërtimit të deponisë së mbeturinave inerte në fshatin Rrenc po vazhdon të shkaktojë reagime në Komunën e Dragashit. Pas takimit të Kryesisë së fshatit Rrenc me kryetarin e Komunës, ka reaguar edhe asambleisti i PDK-së në Kuvendin Komunal të Dragashit, Artan Loshaj, i cili vjen nga ky fshat. Në reagimin e tij publik, Loshaj i bën thirrje kryetarit të komunës që të reflektojë dhe të rishqyrtojë vendimin për ndërtimin e deponisë, duke kërkuar edhe kërkimfalje publike për deklaratën se “vetëm Zoti dhe gjykata mund ta ndalin”realizimin e projektit. Ai thekson se një gjuhë e tillë nuk ndihmon në zgjidhjen e problemit, por vetëm sa thellon përplasjet mes institucioneve dhe qytetarëve. Sipas tij, arsyetimi se projekti duhet të realizohet për të mos humbur grantin prej 250 mijë eurosh nuk është bindës, pasi ekziston mundësia që deponia të zhvendoset në një lokacion tjetër më të përshtatshëm. Loshaj shton se qytetarët nuk janë kundër investimeve, por kërkojnë që të mbrohet mjedisi dhe të mos rrezikohet shëndeti e mirëqenia e banorëve. Reagimi i plotë i Artan Loshajt: > Reagim pas takimit të Kryesisë së fshatit Rrenc me kryetarin e Komunës lidhur me ndërtimin e deponisë I nderuar kryetar, Në emër të banorëve të fshatit, ju bëj thirrje publike që të reflektoni. Jam i detyruar ta bëj këtë, pasi që pas takimit me Kryesinë e fshatit keni deklaruar se vetëm Zoti dhe gjykata mund t’ju ndalin. Për moshën që keni dhe për pozitën që ushtroni, ju lutem të kërkoni falje publike për këtë deklaratë. Një gjuhë e tillë nuk i shërben askujt; ajo nuk na çon drejt dialogut dhe zgjidhjes së problemit, por vetëm drejt thellimit të tij. Sa i përket arsyetimit tuaj se ndërtimi i deponisë është i domosdoshëm për të mos humbur grantin e performancës prej 250 mijë eurosh, kjo nuk i bind qytetarët. Keni mundësi ta ndryshoni lokacionin. Për vite me radhë janë ngritur dyshime për keqmenaxhim të parasë publike dhe mënyrën se si zhvillohen tenderët në komunë, prandaj është e vështirë të pranohet ky argument si i sinqertë. Ju lutem rishqyrtojeni edhe një herë këtë vendim dhe gjeni një vend më të përshtatshëm. Mos u mundoni ta impononi këtë projekt me forcën e pushtetit, sepse koha kur vendimet merreshin me imponim ka kaluar. Si popull kemi vuajtur shumë nga padrejtësitë dhe imponimet, prandaj sot kemi të drejtë të dëgjohemi dhe respektohemi. Qytetarët nuk janë kundër investimeve, por kërkojnë mbrojtjen e mjedisit dhe që të mos rrezikohen banorët. Ende ka kohë për të reflektuar. Respekti dhe mirëkuptimi i banorëve është rruga e vetme për të gjetur zgjidhje. / Dragash Info /