Lokale

Dr. sc. Muharrem Qafleshi ngre dilema ligjore për lokacionin e planifikuar të deponisë pranë Rrencit

12.07.2026. 3 min čitanja

Sipas autorit, nëse distanca prej rreth 300 metrash nga vendbanimi konfirmohet zyrtarisht, projekti duhet të rishqyrtohet për shkak të kritereve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.     Debati rreth ndërtimit të deponisë së planifikuar pranë fshatit Rrenc në Komunën e Dragashit po vazhdon të marrë vëmendje publike. Së fundmi, edhe Dr. sc. Muharrem Qafleshi ka publikuar një analizë lidhur me pajtueshmërinë e lokacionit të propozuar me legjislacionin e Republikës së Kosovës.   Në shkrimin e tij, Qafleshi thekson se plani për ndërtimin e deponisë ka shkaktuar shqetësim të madh te banorët e zonës, të cilët kanë organizuar edhe një peticion kundër realizimit të projektit. Sipas tij, shqetësimet nuk lidhen vetëm me ndikimin e mundshëm në mjedis dhe shëndetin publik, por edhe me respektimin e dispozitave ligjore.   Ai i referohet Udhëzimit Administrativ MMPHI Nr. 03/2024 për Kriteret për Zgjedhjen e Lokacionit të Deponive, duke theksuar se, sipas nenit 8, një deponi komunale duhet të jetë së paku 500 metra larg vendbanimeve dhe 2,000 metra larg burimeve të ujit.   Qafleshi përmend se, sipas një postimi të publikuar nga aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Vend dhe Sharr, Filiz Mustafa, distanca ndërmjet lokacionit të propozuar dhe zonës së banuar është rreth 300 metra. Ai thekson se, nëse kjo distancë konfirmohet nga matjet zyrtare, atëherë projekti ngre dilema serioze për pajtueshmërinë me kriteret ligjore.   Në analizë përmendet gjithashtu se Ligji për Mbeturinat dhe Ligji për Mbrojtjen e Mjedisit obligojnë institucionet që të respektojnë standardet për mbrojtjen e shëndetit publik, të zhvillojnë procedura transparente dhe të marrin në konsideratë interesin e komunitetit lokal. Sipas autorit, projekte të tilla zakonisht i nënshtrohen edhe procedurave të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM).   Në fund, Qafleshi kërkon që institucionet përgjegjëse të publikojnë dokumentacionin teknik, matjet zyrtare të distancës dhe studimet mjedisore, duke argumentuar se transparenca dhe respektimi i ligjit janë thelbësore për ruajtjen e besimit të qytetarëve dhe mbrojtjen e mjedisit.   “Mbrojtja e mjedisit nuk është çështje politike, por detyrim kushtetues dhe ligjor. Prandaj, institucionet kompetente duhet të veprojnë me transparencë të plotë, duke respektuar ligjin dhe duke garantuar se asnjë projekt nuk do të realizohet në kundërshtim me standardet e përcaktuara për mbrojtjen e qytetarëve dhe të natyrës,”përfundon ai. width= width= width= Burimi: Opoja Piktoreske.