Shaip Buduri: PDK nuk ka nevojë për politikanë sezonalë, refuzimi ndaj Fatmir Limajt ishte vendim i drejtë
Shaip Buduri ka reaguar publikisht lidhur me mos përfshirjen e Fatmir Limajt në listën e kandidatëve të PDK-së për zgjedhjet parlamentare, duke e cilësuar këtë si një vendim politik të drejtë dhe në mbrojtje të dinjitetit të partisë. Në reagimin e tij, Buduri thekson se PDK nuk ka nevojë për “politikanë sezonalë” që, sipas tij, e përdorin partinë për interesa personale dhe poste politike. Ai deklaron se ata që kanë braktisur partinë, kanë sulmuar lidershipin dhe kanë negociuar me kundërshtarët politikë, nuk mund të kërkojnë sot besimin e strukturave dhe mbështetësve të PDK-së. “Besimi nuk është taktikë elektorale, por besnikëri politike”, ka shkruar Buduri, duke shtuar se PDK duhet të ndërtohet mbi njerëz që qëndrojnë pranë partisë edhe në ditë të vështira. Në fund të reagimit, ai ka bërë thirrje që zgjedhjet e 7 qershorit të shërbejnë si moment për rikthimin e fuqishëm të PDK-së në skenën politike, me fokus te zhvillimi, dinjiteti dhe ndërtimi i një shteti serioz. — Dragash Info