Reagim nga Kukësi ndaj itinerarit të Motomeetingut “Enduro Sharri” në zonën e Pikëllimës
Një reagim publik ka ardhur nga Ermal Hallaçi nga Kukësi pas njoftimit për organizimin e motomeetingut tradicional të Klubit të Motorristëve “Enduro Sharri”, i cili këtë vit do të zhvillohet pjesërisht edhe në territorin e Republikës së Shqipërisë. Sipas organizatorëve, aktiviteti organizohet për nder të Ditës së Çlirimit të Komunës së Dragashit, nën patronatin e kryetarit të komunës, Bexhet Xheladini. Në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar, përfaqësues të Komunës së Dragashit dhe Klubit Enduro Sharri zhvilluan një takim në Bashkinë e Kukësit, ku u arrit marrëveshja për lejimin e zhvillimit të një pjese të itinerarit në Qafë Zbinec dhe në fshatin Belë. Pas këtij njoftimi, Ermal Hallaçi ka kundërshtuar publikisht zhvillimin e aktivitetit në zonën e Bjeshkëve të Pikëllimës, duke e konsideruar atë një zonë të mbrojtur me rëndësi të veçantë për banorët lokalë dhe blegtorinë. Më poshtë gjeni reagimin e tij të plotë: > “Kam disa fjalë për nënkryetarin e Komunës së Dragashit. Ne jemi dy zona fqinje që na lidh historia, tradita dhe bashkëpunimi ndër vite. Komunitetet tona në të dy anët e kufirit kanë pasur gjithmonë marrëdhënie të mira dhe gëzoj respekt për banorët e Dragashit dhe institucionet e saj. Por nuk pajtohem aspak me faktin që vjen në Kukës për të kërkuar leje për zhvillimin e një gare me motorë në Bjeshkët e Pikëllimës, në kullotat alpine të banorëve të Tërthores, brenda Parkut Natyror Korab-Koritnik. Kjo nuk është një zonë për gara me motorë. Këto janë kullota ku familjet e zonës nxjerrin bagëtitë gjatë verës dhe sigurojnë të ardhurat e tyre. Kjo është një zonë e mbrojtur, me vlera të jashtëzakonshme natyrore dhe mjedisore, që duhet ruajtur dhe jo dëmtuar. Prandaj të bëj thirrje të tërhiqesh nga kjo iniciativë dhe të anulosh këtë aktivitet ose ta zhvendosësh në një vend tjetër më të përshtatshëm. Nuk mund të pranojmë që për hir të argëtimit të disa personave të dëmtohen bjeshkët tona dhe pasuria natyrore e zonës. Banorët e Tërthores dhe të gjithë ata që e duan këtë trevë duhet të ngrihen në mbrojtje të bjeshkëve tona. Ky reagim vetëm sa do të zgjerohet në ditët në vazhdim, sepse Bjeshkët e Pikëllimës nuk janë për gara me motorë. Bjeshkët tona duhen mbrojtur, jo shkatërruar.” Ky reagim vjen në prag të zhvillimit të motomeetingut, ndërsa organizatorët e kanë prezantuar aktivitetin si një ngjarje që synon promovimin e sportit motorik, turizmit, miqësisë dhe bashkëpunimit ndërkufitar mes Kosovës dhe Shqipërisë.
/Dragash Info/