Në Berlin hapet ekspozita “28 Minuta”, kushtuar hyrjes së forcave gjermane të NATO-s në Kosovë
Berlin – Në kuadër të “Javës së Kulturës së Kosovës në Berlin”, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Gjermani është hapur ekspozita “28 Minuta”, e cila i kushtohet momenteve të para të hyrjes së forcave gjermane të NATO-s në Kosovë në qershor të vitit 1999. Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, tha se ekspozita, përmes fotografive origjinale të siguruara nga Bundeswehr-i, sjell kujtime nga periudha vendimtare e muajve prill–qershor 1999 dhe pasqyron rolin e Gjermanisë në përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës dhe spastrimit etnik në Kosovë. Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe ish-ministri federal i Mbrojtjes së Gjermanisë, Rudolf Scharping, i cili rikujtoi mbështetjen e dhënë për Kosovën gjatë luftës dhe shprehu miqësinë e tij të vazhdueshme me vendin. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Stefan Rössel, vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, duke riafirmuar mbështetjen gjermane për integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe proceset euroatlantike. Titulli i ekspozitës “28 Minuta” lidhet me ultimatumin e dhënë më 12 qershor 1999 nga gjenerali gjerman Helmut Harff, i cili u kishte lënë forcave serbe vetëm 28 minuta kohë për t’u tërhequr. Ky moment konsiderohet simbol i vendosmërisë së aleatëve për t’i hapur rrugë paqes dhe lirisë në Kosovë. Ekspozita synon të ruajë kujtesën historike dhe të nderojë kontributin e aleatëve ndërkombëtarë në ndërtimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.

/Dragash Info/