Mbyllet me sukses aksioni për ndërtimin e Lapidarit të dëshmorëve Fetah Sylejmani dhe Fisnik Ibrahimi
Shajne – Këshilli iniciativë për ndërtimin e Lapidarit të dëshmorëve Fetah Sylejmani dhe Fisnik Ibrahimi ka bërë të ditur se aksioni për grumbullimin e mjeteve dhe realizimin e këtij projekti është mbyllur me sukses. Përmes një njoftimi publik, Këshilli ka shprehur mirënjohje dhe falënderim për të gjithë qytetarët, bashkatdhetarët, bizneset dhe kontribuuesit që mbështetën këtë iniciativë. Sipas Këshillit, mbështetja e dhënë nuk ishte vetëm financiare, por një dëshmi e respektit, kujtesës dhe vlerave të përbashkëta që bashkojnë komunitetin në nderimin e dëshmorëve të kombit. “Falë bujarisë dhe solidaritetit tuaj, një ide u shndërrua në vepër, një kujtim në simbol të përhershëm. Çdo kontribut, i madh apo i vogël, ka lënë gjurmë të çmuar në këtë projekt që i përket të gjithëve”, thuhet në mesazhin e falënderimit. Këshilli iniciativë ka bërë të ditur se opinionit publik do t’i ofrohen me kohë informacione shtesë lidhur me gjendjen e llogarisë dhe datën e ceremonisë së inaugurimit të lapidarit. Lapidari i dëshmorëve Fetah Sylejmani dhe Fisnik Ibrahimi do të shërbejë si simbol i përhershëm i kujtesës dhe respektit për sakrificën e tyre në shërbim të lirisë së vendit. /Dragash Info/