Hatim Baxhaku: “Askush nuk ka pronësi mbi LDK-në, problemet nuk zgjidhen me gjueti shtrigash”
Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ish-kandidati për kryetar të Prizrenit nga radhët e kësaj partie, Hatim Baxhaku, ka reaguar lidhur me debatet dhe kritikat e fundit brenda dhe jashtë LDK-së, duke i cilësuar ato si një “fushatë të gjuetisë së shtrigave” ndaj partisë dhe udhëheqjes së saj. Në një shkrim të publikuar në rrjetet sociale, Baxhaku ngre një sërë pyetjesh për aktivistët, zyrtarët dhe kritikët e LDK-së, duke kërkuar reflektim mbi përgjegjësinë individuale dhe angazhimin në terren para se të kërkohen dorëheqje dhe ndryshime në krye të partisë. Ai thekson se askush nuk ka të drejtë të paraqitet si “shpëtimtar” i LDK-së vetëm mbi bazën e votave personale, duke shtuar se vendimet për partinë duhet të merren nga strukturat e saj legjitime dhe jo nga individë që, sipas tij, kanë dështuar të sigurojnë fitore edhe në nëndegët apo degët ku veprojnë. Sipas Baxhakut, një nga problemet kryesore të LDK-së mbetet mosfunksionimi ose mungesa e strukturave organizative në nivel lokal, gjë që sipas tij ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet zgjedhore. Megjithatë, ai vlerëson se përgjegjësia kryesore për gjendjen aktuale bie mbi kryetarin e LDK-së dhe Kryesinë Qendrore, për shkak të mosorganizimit në kohë të zgjedhjeve të brendshme partiake dhe mosfunksionalizimit të strukturave bazë. Më poshtë e gjeni shkrimin e plotë të Hatim Baxhakut, të publikuar pa ndërhyrje redaksionale: “Çka eshte more kjo fushat e ‘gjuetisë së shtrigave’ ndaj LDK-së nga eksponent të vetë partisë, analista, banalista e kundërshtarë të LDK-së?! Çka eshte more kjo garë se kush po çohët i pari, me sabah, me shit mend, me sulmue, me kërkua përgjegjësi e dorëheqje të kryetarit të LDK-së?! Çka eshte more kjo mendësi: Fatmiri i mirë – Fatmiri i keq, Isa i mirë – Isa i keq – Isa i mirë, Hoti i keq si Isa – Hoti i mirë – Hoti i keq, Lumiri i mirë, kingu – Lumiri i keq – Lumiri i mirë – Lumiri i keq!? A jeni ndalë more najherë e me pyet vetën: – Cila eshte përgjegjësia ime dhe kontributi im në familjen time, në lagjen time, në qytetin tim për rezultatin zgjedhor? – Sa vota kam siguruar për LDK në nëndegën time? – A ekziston dhe a funksionon nëndega e LDK-së në lagjen time? – Kush eshte Kryetari dhe Kryesia e nëndegës time? Askush nuk ka të drejtë që në emër të 20.000 e as 60.000 votave të fituara në zgjedhje, në bazë të një ligji zgjedhor manipulativ ku votohet për 10 kandidatë, dhe në anën tjetër ka humbur në nëndegën e vet, në lagjen e vet dhe në degën e vet, t’i jap vetes rolin e shpëtimtarit të LDK-së dhe personit që do të përcaktojë dhe diktojë vendimet dhe fatet e saj. Vendime për LDK i marrin strukturat e saj udhëheqëse. Dhe po, askush, pra askush, nuk ka pronësi mbi LDK. Dhe po, është përgjegjësia kryesore dhe faj i pafalshëm i Kryetarit të LDK dhe Kryesisë Qendrore për gjendjen shumë të keqe në strukturën organizative dhe mosangazhimin në organizimin dhe realizimin pa asnjë vonesë të zgjedhjeve të brendshme partiake në të gjitha nivelet duke filluar nga aktivat, nëndegët dhe degët e LDK-së nëpër komuna. Rezultatet e dobëta të LDK-së në zgjedhjet nacionale janë pa asnjë dyshim mosfunksionimi, e në rastet më të këqija mungesa fare e strukturave të LDK në nivel lokal nëpër shumicën e komunave. As të mos ëndërrojë a pretendojë ndonjëri që një lider tjetër i ri i LDK-së do ta ngrisë rezultatin e saj në zgjedhje pa funksionalizimin e strukturave të LDK-së në bazë. P.S. Dua të theksoj se nuk po bëj avokatin e kryetarit Lumir Abdixhiku sepse as që e kam ndërmend ta luaj këtë rol dhe nuk kam asnjë interes personal. Po shkruaj si një aktivist dhe bartës i funksioneve të shumta në LDK që nga themelimi. Liderët vijnë e shkojnë. I gëzojnë sukseset por dhe paguajnë kostot e humbjeve. LDK është konstantja dhe e përjetshmja! Zoti e bekoftë LDK! Zoti e bekoftë Kosovën!”