Qendrore

Nesër mbahet Testi i Maturës Shtetërore, mbi 19 mijë nxënës i nënshtrohen provimit

19.06.2026. 2 min čitanja

Mbi 19 mijë maturantë nga e gjithë Kosova do t’i nënshtrohen nesër, më 20 qershor, Testit të Maturës Shtetërore 2026.   Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se në këtë proces do të marrin pjesë gjithsej 19,514 nxënës, ndërsa testimi do të organizohet në 152 qendra të testimit në mbarë vendin.   Për mbarëvajtjen e procesit janë angazhuar 1,360 administrues, si dhe 750 kryetarë dhe anëtarë të komisioneve.   Testi do të fillojë në orën 10:00 dhe do të përfundojë në orën 13:30. Maturantët janë të obliguar të paraqiten në qendrat e testimit më së largu deri në orën 09:00, për të përfunduar procedurat e identifikimit dhe sistemimit në sallat e testimit.   Sipas MASh-it, testi do të zhvillohet brenda një dite dhe do të përmbajë gjithsej 100 kërkesa, përkatësisht pyetje dhe detyra. Nga 25 kërkesa do të jenë për secilën prej katër lëndëve të përfshira në test: gjuhën amtare, gjuhën angleze, matematikën dhe një lëndë zgjedhore të përzgjedhur nga vetë nxënësit.   Ministria ka rikujtuar se posedimi i telefonave mobilë dhe i çdo pajisjeje tjetër elektronike gjatë testimit është rreptësisht i ndaluar.   “Çdo kandidat/e që konstatohet se posedon telefon ose pajisje tjetër elektronike do të largohet menjëherë nga testi, pavarësisht nëse pajisja është përdorur apo jo”, thuhet në njoftimin e MASh-it.   Në fund, Ministria e Arsimit dhe Shkencës u ka uruar suksese të gjithë maturantëve në këtë proces të rëndësishëm të vlerësimit të njohurive.   /Dragash Info/