Mbillen 50 drunj dekorativë në Parkun “Adem Jashari”
Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, së bashku me kryetarin e OVL-së së UÇK-së – Dega Dragash, Emri Neshati, kanë marrë pjesë në aksionin e mbjelljes së rreth 50 drunjve dekorativë në Parkun “Adem Jashari”, me synim shtimin e gjelbërimit dhe përmirësimin e hapësirave publike. Sipas kryetarit Xheladini, fidanët janë dhuruar nga Kryeshefi i Ekoregjionit, Burim Shala, të cilit i ka shprehur mirënjohje për kontributin e dhënë në zbukurimin e parkut dhe përkushtimin ndaj mbrojtjes së mjedisit. “Në emrin tim dhe të qytetarëve të komunës sonë, i shpreh falënderimet më të sinqerta z. Burim Shala për këtë kontribut të vlefshëm dhe për përkushtimin e tij në përmirësimin e mjedisit dhe hapësirave tona publike”, ka deklaruar Xheladini. Ai ka bërë thirrje për kujdes të vazhdueshëm ndaj mjedisit, duke theksuar se angazhime të tilla kontribuojnë në krijimin e një komune më të gjelbër, më të pastër dhe më të bukur për të gjithë qytetarët. /Dragash Info/