Goditje për Serbinë në Parlamentin Evropian, kritika të ashpra për mungesën e reformave dhe retorikën ndaj Kosovës
Parlamenti Evropian ka miratuar raportin për përparimin e Serbisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke konstatuar se vendi ka shënuar shumë pak progres, ndërsa në disa fusha ka pësuar edhe prapakthim. Raporti, i hartuar nga eurodeputeti kroat Tonino Picula, u miratua me 468 vota pro, 116 kundër dhe 79 abstenime. Në dokument theksohet se Serbia vazhdon të mos harmonizojë politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Evropian, ndërsa kritikohet për dobësitë në sundimin e ligjit, lirinë e mediave, proceset zgjedhore dhe marrëdhëniet me vendet fqinje. Raporti i bën thirrje Komisioni Evropian që të pezullojë pagesat e ardhshme për Serbinë nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor, derisa të ketë përparim të besueshëm në reformat kyçe. Sipas raportit, Serbia ka nivelin më të ulët të harmonizimit me politikën e jashtme të BE-së nga të gjitha vendet kandidate, me vetëm 63 për qind përputhshmëri. Dokumenti kritikon gjithashtu forcimin e bashkëpunimit politik dhe ushtarak të Beogradit me Rusinë dhe Kinën, si dhe blerjen e raketave ajër-tokë CM-400AKG nga Kina. Një pjesë e raportit i kushtohet edhe retorikës ndaj vendeve fqinje. Eurodeputetët dënojnë gjuhën e urrejtjes dhe deklaratat nxitëse ndaj Kroacisë, Bullgarisë, Kosovës dhe Shqipërisë, si nga zyrtarët serbë ashtu edhe nga mediat pranë pushtetit. Po ashtu, raporti kritikon presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić, për pretendimet e pabazuara se Kosova, Shqipëria dhe Kroacia po përgatitnin një sulm ndaj Serbisë, duke theksuar se për këto deklarata nuk janë paraqitur prova. Në përfundim, dokumenti rithekson domosdoshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si pjesë e procesit të integrimit evropian të Beogradit. /Dragash Info/