Qendrore

Prattipati përsërit thirrjen për Kosovën: Përfshihuni në projektin amerikan të gazit për të siguruar investime të reja

08.07.2026. 2 min čitanja

E ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, ka përsëritur thirrjen që Kosova të përfshihet në projektet amerikane të gazit natyror të lëngshëm (LNG), duke theksuar se një hap i tillë do të krijonte kushte për investime të ardhshme amerikane në vend.   Gjatë ceremonisë së ndarjes së Çmimit të Partneritetit SHBA–Kosovë, ku u vlerësuan anëtarët e American Chamber of Commerce in Kosovo për kontributin në forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, Prattipati përshëndeti vendimin e Kosovës për heqjen e tarifave doganore ndaj mallrave amerikane.   Sipas njoftimit të Ambasadës së SHBA-së, ajo bëri thirrje që Kosova të diversifikojë furnizimin me energji përmes gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA-ja, me synimin për të garantuar investime të reja amerikane dhe për të forcuar sigurinë energjetike të vendit.   Prattipati kishte adresuar të njëjtën çështje edhe në muajin qershor, përmes një artikulli opinioni, ku theksoi se Kosova ndodhet përballë një zgjedhjeje të rëndësishme strategjike.   Ajo deklaroi se administrata e Donald Trump e ka prioritet uljen e varësisë së Evropës nga energjia ruse dhe inkurajoi Kosovën të krijojë një partneritet afatgjatë energjetik me SHBA-në përmes LNG-së.   “Ne e nxisim Kosovën të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Amerikën përmes LNG-së për të siguruar të ardhmen e saj energjetike. Së bashku mund të forcojmë sigurinë energjetike dhe t’i rrisim ekonomitë tona krah për krah”, ka deklaruar Prattipati.   /Dragash Info/