KRM “Ekoregjioni”: Vendimi i Asamblesë së Dragashit hap i rëndësishëm për menaxhimin e mbeturinave
Kryeshefi Ekzekutiv i KRM “Ekoregjioni” Sh.A, Burim Shala, ka përshëndetur vendimin e Asamblesë Komunale të Dragashit për miratimin e Rregullores për menaxhimin e mbeturinave, si dhe aprovimin e kërkesës së kompanisë për rritjen e tarifës së shërbimit. Sipas Shalës, ky vendim paraqet një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të menaxhimit të mbeturinave dhe ofrimit të shërbimeve më cilësore për qytetarët. “Fillimisht dua ta falënderoj Kryetarin e Komunës së Dragashit, z. Bexhet Xheladini, nënkryetarin z. Vetim Y. Ramadani, komisionin komunal për hartimin e kësaj rregulloreje, Kryesuesin e Kuvendit Komunal z. Resul Fetahu, si dhe të gjithë anëtarët e Asamblesë Komunale që e votuan këtë rregullore në interes të qytetarëve dhe mbrojtjes së ambientit”, ka deklaruar Shala. Ai ka theksuar se vendimi synon krijimin e një komune më të pastër, më të rregullt dhe me shërbime më cilësore për të gjithë qytetarët. “Ky vendim është në të mirë të qytetarëve, që ta kemi një qytet dhe një komunë sa më të pastër, më të rregullt dhe me shërbime më cilësore për të gjithë. Vazhdojmë edhe me komunat e tjera”, është shprehur ai. /Dragash Info/