KKSB në Dragash: Siguria vlerësohet e qetë dhe stabile, rikthehet Unaza e Qytetit gjatë sezonit të mërgimtarëve
Dragash, 26 qershor 2026 – Nën kryesimin e kryetarit të Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, është mbajtur mbledhja e tretë e rregullt për vitin 2026 e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), ku u diskutuan një sërë çështjesh që lidhen me sigurinë publike, qarkullimin rrugor, mbrojtjen nga zjarret dhe sigurinë në institucionet arsimore. Gjatë mbledhjes, përfaqësuesi i Stacionit Policor në Dragash, Rrahman Tafili, dhe komandanti i Vijës Kufitare, Jeton Hulaj, raportuan mbi gjendjen e sigurisë, duke theksuar se situata në Komunën e Dragashit vazhdon të jetë e qetë dhe stabile. Një nga temat kryesore ishte përgatitja për sezonin veror dhe parandalimi i zjarreve. KKSB vendosi të dalë me një apel publik, duke u bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal për të shmangur zjarret dhe rreziqet që ato mund të shkaktojnë. Po ashtu, Këshilli vendosi unanimisht që edhe këtë vit të funksionalizohet Unaza e Qytetit me regjim njëkahor gjatë periudhës së fluksit të mërgimtarëve. Ky regjim do të jetë në fuqi nga 20 korriku deri më 16 gusht 2026, me synim lehtësimin e qarkullimit të automjeteve në qytet. Gjatë kësaj periudhe, oborret e shkollave do të përdoren si parkingje pa pagesë. Në mbledhje u prezantua edhe raporti i Drejtorisë Komunale të Arsimit mbi gjendjen e sigurisë në shkolla dhe zbatimin e Planit për Siguri në Shkolla, ku u vlerësua mbarëvajtja e procesit në institucionet arsimore. Në fund, anëtarët e KKSB-së diskutuan edhe për çështje të tjera që prekin jetën e përditshme të qytetarëve, përfshirë ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike në disa vendbanime të Komunës së Dragashit, duke theksuar nevojën për trajtimin e këtij problemi.
/Dragash Info/