Alarm për ndotjen e mjedisit: Deponi e egër me mbetje azbesti pranë Shajnes
Në vendin e njohur si “Perroi i Vogël”, rreth 500 metra larg fshatit Shajne në drejtim të Xërxës, ndodhet një deponi e egër me përmasa të mëdha, ku hidhen lloje të ndryshme mbeturinash. Përveç ndotjes vizuale, erërave të pakëndshme dhe problemeve të vazhdueshme me rrjedhën e ujit të përroit, së fundmi janë vërejtur edhe grumbuj materiali që dyshohet se përmbajnë azbest, një material i njohur për vetitë e tij kancerogjene dhe rrezikun serioz për shëndetin publik. Prania e këtij materiali në një hapësirë të hapur përbën rrezik potencial për banorët dhe kalimtarët, veçanërisht në rast të shpërndarjes së grimcave në ajër. Qytetarët kërkojnë nga organet e rendit dhe institucionet kompetente që të hetojnë rastin dhe të ndërmarrin masa urgjente për trajtimin e situatës. Po ashtu, kërkohet që autoritetet komunale të marrin masa të menjëhershme parandaluese, duke siguruar izolimin dhe mbulimin e përkohshëm të materialit të dyshuar, deri në largimin dhe trajtimin e tij në përputhje me standardet mjedisore dhe shëndetësore. 🌿 Mbrojtja e mjedisit është përgjegjësi e përbashkët. Çdo vonesë në trajtimin e mbetjeve të rrezikshme mund të ketë pasoja afatgjata për shëndetin e qytetarëve dhe natyrën.
/Dragash Info/