Qendrore

Zeka: Kriza politike po i rrezikon investimet e huaja në Kosovë

03.05.2026. 2 min čitanja

  Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka paralajmëruar se kriza politike dhe zvarritja e formimit të institucioneve po rrezikojnë drejtpërdrejt investimet e huaja dhe rritjen ekonomike në vend. Ai theksoi se përvojat e mëhershme tregojnë qartë se çdo ngërç politik ka reflektuar negativisht në zhvillimin ekonomik. “Historikisht, sa herë kemi pasur ngërçe politike, sidomos në periudhat paszgjedhore si në vitet 2014, 2017 dhe 2019, kjo gjithmonë ka ndikuar në uljen e normës së rritjes ekonomike. Ngjashëm ndodhi edhe në vitin 2025, kur për shkak të bllokadës politike, rritja ekonomike ishte më e ulët se parashikimet”, deklaroi Zeka. Sipas tij, nëse situata aktuale vazhdon, edhe viti 2026 mund të karakterizohet nga rritje e dobët ekonomike, kryesisht për shkak të mungesës së konsensusit politik për formimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit. Zeka nënvizoi se stabiliteti institucional është kusht kyç për tërheqjen e investimeve të huaja, ndërsa pasiguria politike i dekurajon investitorët. “Investitorët kanë nevojë për institucione stabile dhe partnerë të besueshëm me të cilët mund të komunikojnë dhe të ndihen të sigurt për investimet e tyre. Çdo pasiguri politike ndikon drejtpërdrejt në vendimet e tyre”, tha ai. Ai bëri thirrje që proceset zgjedhore dhe formimi i institucioneve të përfundojnë sa më shpejt, pa vonesa të mëtejme në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re. Po ashtu, Zeka kritikoi edhe bllokadat institucionale ndaj projekteve kapitale në nivel lokal, veçanërisht në Prishtina, duke theksuar se këto pengesa dëmtojnë zhvillimin ekonomik dhe komunikimin me investitorët potencialë. Megjithatë, ai vlerësoi se Kosova dhe rajoni i Ballkani Perëndimor kanë potencial për të tërhequr investime të huaja, sidomos në një kohë kur rajone të tjera përballen me konflikte. “Kosova ka fuqi të re dhe të edukuar punëtore dhe mund ta shfrytëzojë këtë moment për të promovuar potencialin e saj për investime, veçanërisht nga SHBA dhe vendet e Evropës Perëndimore”, përfundoi Zeka. — Dragash Info