Votimi për Presidenten pa kuorum, KDI e cilëson antikushtetues
Votimi për Presidenten pa kuorum, KDI e cilëson antikushtetues — 63 vota për Feride Rushitin Në Kuvendin e Kosovës është zhvilluar raundi i parë i votimit për zgjedhjen e Presidentes, në një seancë që ka nxitur reagime të forta për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm kushtetues. Lëvizja Vetëvendosje kishte propozuar dy kandidate për këtë post, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, pa arritur më parë një marrëveshje me partitë opozitare. Si pasojë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) bojkotuan seancën. Në sallë ishin të pranishëm vetëm 64 deputetë, ndërkohë që për raundin e parë kërkohet pjesëmarrja e të paktën dy të tretave të deputetëve. Sipas njoftimit të Salih Zyba, “63 deputetë votuan për Feride Rushitin, një votë ishte e pavlefshme dhe asnjë votë nuk shkoi për Hatixhe Hoxhën”. Seanca u mbyll nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila njoftoi se vazhdimi i saj do të bëhet të nesërmen në orën 10:00. Ndërkohë, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve, duke e cilësuar përpjekjen për votim pa kuorum si shkelje të hapur të Kushtetutës. Sipas KDI-së, praktika dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të qarta: në raundin e parë dhe të dytë të votimit kërkohet pjesëmarrja e së paku dy të tretave të të gjithë deputetëve. Çdo devijim nga ky standard, sipas tyre, cenon rendin kushtetues dhe funksionimin demokratik të institucioneve. KDI paralajmëroi se një veprim i tillë krijon precedent të rrezikshëm dhe u bëri thirrje deputetëve që të respektojnë procedurat kushtetuese dhe të shmangin thellimin e krizës institucionale. — Dragash Info