Lokale

Në Dragash arrestohen tre persona të dyshuar për vjedhje të rëndë, kapen në flagrancë brenda një fabrike

05.08.2026. 2 min čitanja

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale “vjedhje e rëndë”, pasi u kapën në flagrancë brenda një fabrike jashtë funksionit në territorin e komunës së Dragashit.   Sipas Policisë, rasti ka ndodhur më 4 gusht 2026, rreth orës 21:12, kur Stacioni Policor në Dragash, pas një njoftimi nga shefi i hetuesisë, ka reaguar menjëherë ndaj informacionit për një vjedhje në zhvillim.   Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat e Stacionit Policor të Dragashit, të mbështetura edhe nga patrulla kufitare.   Gjatë operacionit:   – Rreth orës 22:30 është arrestuar i dyshuari i parë brenda objektit të fabrikës. – Rreth orës 22:45 janë arrestuar edhe dy të dyshuar të tjerë.   Gjatë kontrollit në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur dhe sekuestruar mjete që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës penale, përfshirë dorëza, një fleks, bateri, një sharrë metalike, si dhe një automjet që i përkiste njërit prej të dyshuarve.   Përveç hetuesve të Stacionit Policor të Dragashit, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve nga Prizreni për zhvillimin e procedurave të mëtejshme hetimore.   Me vendim të Prokurorit kujdestar, tre të dyshuarit, meshkuj të moshës 38, 37 dhe 36 vjeç, janë ndaluar për 48 orë.   Policia ka bërë të ditur se, përveç sekuestrimit të automjetit dhe mjeteve të punës të përdorura gjatë dyshimit për kryerjen e veprës penale, hetimet po vazhdojnë me qëllim të sigurimit të provave shtesë dhe verifikimit të mundshëm të përfshirjes së të dyshuarve edhe në raste të tjera të ngjashme.   Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.