Lokale

Artan Loshaj kritikon ashpër qeverisjen komunale për krizën e ujit në Dragash

04.08.2026. 2 min čitanja

Asambleisti i PDK-së në Kuvendin Komunal të Dragashit, Artan Loshaj, ka reaguar lidhur me mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm në qytetin e Dragashit, duke akuzuar qeverisjen komunale për dështim në menaxhimin e situatës.   Në reagimin e tij, Loshaj pyet se ku kanë mbetur premtimet dhe deklaratat e dhëna se qytetarët nuk do të përballeshin me mungesë uji, duke shtuar se, sipas tij, investimet dhe promovimet e projektit të ujësjellësit u shfrytëzuan më shumë për propagandë sesa për zgjidhjen e problemit.   Ai thekson se sot qytetarët e Dragashit po përballen me mungesën e një nevoje elementare – ujit të pijshëm – dhe e cilëson të papranueshme që, pas 27 vitesh liri, qyteti të përjetojë një krizë të tillë.   Sipas Loshajt, kjo situatë përbën një dështim të rëndë të qeverisjes lokale dhe, siç shprehet ai, për herë të parë në histori Dragashi po kalon një krizë kaq serioze të furnizimit me ujë.   Ai deklaron gjithashtu se qytetarët janë të lodhur nga propaganda dhe kërkojnë furnizim të rregullt me ujë, përgjegjësi institucionale dhe llogari nga ata që kanë marrë besimin për të qeverisur.   Në reagimin e tij, Loshaj pretendon se një pjesë e furnizimit me ujë po devijohet drejt fshatrave për të zbutur pasojat e problemeve në menaxhim, ndërsa thekson se qytetarët e Dragashit nuk duhet të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë.   Ai përfundon duke theksuar se uji i pijshëm është një e drejtë themelore e çdo qytetari dhe jo një privilegj.