Lokale

EKSKLUZIVE | Arrestohen dy infermierë të QKMF-së në Prizren, dyshohen për përvetësim të parave të pacientëve

04.08.2026. 2 min čitanja

    Dy infermierë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prizren janë arrestuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, nën dyshimin se kanë përvetësuar një pjesë të të hollave të arkëtuara nga bashkëpagesat e pacientëve.   Sipas raportimeve të Sinjalit, të arrestuarit janë:   Xhemajli Bislimaj, rreth 55 vjeç, kryeinfermier në QKMF-Prizren;   Besnik Ramadani, rreth 47 vjeç, infermier në QKMF-Prizren.     Sipas hetimeve, ata dyshohet se gjatë periudhës gusht–nëntor 2024 dhe shkurt–dhjetor 2025, në ndërrimet e natës, kanë përvetësuar një pjesë të mjeteve të arkëtuara nga bashkëpagesat e pacientëve për shërbimet mjekësore.   Dyshimet e deritanishme flasin për:   1.250 euro të përvetësuara nga Xhemajli Bislimaj;   1.032 euro të përvetësuara nga Besnik Ramadani.     Shuma totale e dyshuar e përvetësimit është 2.282 euro.   Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Përvetësim në detyrë”.   Sipas burimeve, hetimet janë ende në zhvillim dhe nuk përjashtohet mundësia e zgjerimit të tyre nëse sigurohen prova të reja.   📝 Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.   Burimi: Sinjali