Qendrore

Enver Hasani: “Është puç, s’ka procedurë pa 80 deputetë të pranishëm”

27.04.2026. 2 min čitanja

Enver Hasani: “Është puç, s’ka procedurë pa 80 deputetë të pranishëm”   Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka reaguar ashpër lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvend për zgjedhjen e Presidentit, duke e cilësuar procesin si shkelje të rëndë kushtetuese. Në një deklaratë për Klan Kosova, Hasani ka theksuar se nuk mund të ketë procedurë të vlefshme pa praninë e së paku 80 deputetëve në sallë. “Është puç, s’ka procedurë pa 80 deputetë të pranishëm”, u shpreh ai, duke kundërshtuar interpretimin e bërë nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu. Sipas Hasanit, interpretimi i aktgjykimit të vitit 2011 është bërë në mënyrë arbitrare. Ai rikujtoi se vendimi i atëhershëm dhe praktikat pasuese të Gjykatës Kushtetuese e përcaktojnë qartë se në dy raundet e para të votimit kërkohet pjesëmarrja e dy të tretave të deputetëve, për të kaluar më pas në raundin e tretë. Hasani përmendi gjithashtu rastin e zgjedhjes së Hashim Thaçi, ku një pjesë e aktgjykimit të vitit 2011 është konfirmuar, ndërsa ndryshimet kanë prekur vetëm raundin e tretë, ku kërkohen 61 vota. Ai sqaroi se dispozita që lidhej me “lejimin” e mungesës së deputetëve nuk është më në fuqi dhe kjo është konfirmuar edhe nga një aktgjykim i fundit i Gjykatës Kushtetuese. Në fund, Hasani theksoi se në momentin kur është konstatuar mungesa e 80 deputetëve në sallë, procedura është dashur të ndërpritet menjëherë dhe të mos vazhdohet më tej. — Dragash Info