Lokale

Vazhdon përplasja për tenderin e ujësjellësit në Dragash, LVV ngre akuza për keqpërdorim të parasë publike

28.06.2026. 2 min čitanja

Lëvizja Vetëvendosje – Qendra Sharr ka reaguar ndaj shpalljes së një tenderi të ri nga Komuna e Dragashit për mirëmbajtjen e impiantit të ujësjellësit, me vlerë prej 162 mijë euro, duke ngritur pretendime për parregullsi dhe keqpërdorim të mjeteve publike.   Sipas reagimit të LVV-së, kontrata e re është shpallur ndonëse, sipas tyre, aneks-kontrata ekzistuese që përfshin mirëmbajtjen e impiantit mbetet në fuqi deri më 27 korrik 2027. Ata pretendojnë se kontrata fillestare dhe aneks-kontrata, me vlerë totale prej 1,131,260.27 euro, parashohin një periudhë garantuese prej 24 muajsh nga data e pranimit teknik, ndërsa tenderi i ri parasheh mirëmbajtje vetëm për 12 muaj.   LVV gjithashtu pretendon se vlera e kontratës së re është shumë e lartë në raport me investimin fillestar dhe akuzon komunën për tendencë të keqpërdorimit të parasë publike. Në reagim thuhet se ekzistojnë dyshime edhe për përfituesin e mundshëm të tenderit, duke pretenduar lidhje të kompanisë me fushatën zgjedhore të LDK-së në Sharr.   Në fund të reagimit, LVV i bën thirrje organeve të drejtësisë që të hetojnë këtë rast, duke e cilësuar tenderin si një çështje që, sipas tyre, duhet të jetë pjesë e hetimeve të Prokurorisë.   Komuna e Dragashit deri më tani nuk ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me këto pretendime.   /Dragash Info/