MMPH: Laurat në hyrje të Parkut Kombëtar “Sharri” nuk do të përdoren për pagesa, por për monitorim dhe kontroll
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPH), përmes Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri”, ka reaguar ndaj informacioneve të shpërndara ditët e fundit në media lokale dhe rrjete sociale lidhur me vendosjen e laurave (rampave) në hyrje të Parkut Kombëtar “Sharri”. Sipas njoftimit zyrtar, pretendimet se laurat do të shërbejnë për aplikimin e pagesave hyrëse ose për kufizimin e lëvizjes së banorëve drejt pronave të tyre janë të pavërteta dhe paraqesin dezinformata. MMPH sqaron se vendosja e laurave ka për qëllim forcimin e monitorimit dhe kontrollit në park, si dhe parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme, përfshirë ndërtimet ilegale, prerjet e pyjeve, gjuetinë e paligjshme dhe transportin e tregtinë e ndaluar. Sipas ministrisë, ky projekt është pjesë e planeve strategjike dhe ligjore për menaxhimin e Parkut Kombëtar “Sharri”, me përgatitje teknike që kanë nisur në vitin 2020 dhe projekt të detajuar të hartuar gjatë vitit 2024. Në njoftim theksohet se vendosja e laurave nuk do të kufizojë qasjen e banorëve në pronat e tyre private dhe nuk do të ketë pagesë për shfrytëzimin e resurseve të lejuara, si kullotat, pyjet, frutat pyjore, burimet e ujit dhe të drejtat e tjera të garantuara me ligj. MMPH u bën thirrje qytetarëve dhe komunitetit lokal që të informohen vetëm nga burimet zyrtare dhe të mos bien pre e dezinformatave. Gjithashtu, drejtoria e Parkut Kombëtar “Sharri” shprehet e gatshme të zhvillojë takime me përfaqësuesit e komunitetit për të ofruar sqarime shtesë rreth projektit. Burimi: Njoftim zyrtar i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPH). /Dragash Info/