Takim informues me Policinë e Kosovës në SHML “Ruzhdi Berisha” në Dragash
Në SHML “Ruzhdi Berisha” në Dragash është mbajtur një takim informues dhe edukativ me përfaqësues të Policisë së Kosovës – Stacioni Policor në Dragash, në kuadër të aktiviteteve për vetëdijesimin e të rinjve mbi dukuritë negative në shoqëri. Rreshteri Imet Hasani, së bashku me stafin policor, zhvilloi një ligjëratë me nxënësit e shkollës lidhur me rreziqet nga përdorimi i drogave, pasojat që ato sjellin për shëndetin dhe jetën sociale, si dhe format e ndryshme të ngacmimeve dhe sjelljeve devijante me të cilat mund të përballen të rinjtë. Gjatë bashkëbisedimit, nxënësit u informuan për rëndësinë e sigurisë në ambientet shkollore dhe në shoqëri, duke marrë këshilla konkrete për parandalimin e dukurive që rrezikojnë mirëqenien dhe zhvillimin e tyre. Nga SHML “Ruzhdi Berisha” u vlerësua bashkëpunimi i vazhdueshëm me Policinë e Kosovës, duke e cilësuar këtë aktivitet si një hap të rëndësishëm në edukimin dhe vetëdijesimin e gjeneratave të reja.
