Abelard Tahiri pas vizitës në Hagë: Thaçi nuk është dorëzuar asnjëherë
Abelard Tahiri pas vizitës në Hagë: Thaçi nuk është dorëzuar asnjëherë Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një tjetër vizitë në Hagë për t’u takuar me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po vazhdon të mbahet në paraburgim nga Dhomat e Specializuara. Tahiri ka deklaruar se gjatë gjashtë viteve të fundit udhëtimet e tij drejt Hagës kanë qenë të shpeshta dhe se takimet me Thaçin kanë qenë gjithmonë emocionale. “Sot e takova përsëri. Ishim bashkë me Memli Krasniqin, si dy bashkëpunëtorë të ish-kryeministrit dhe më vonë presidentit Thaçi”, ka shkruar ai. Sipas Tahirit, ish-presidenti Thaçi vazhdon të mbetet i fortë dhe i bindur në pafajësinë e tij, duke mos u dorëzuar përballë procesit që ai e konsideron të padrejtë. “Ai kurrë nuk është dorëzuar, sepse e di mirë se është aty padrejtësisht dhe se lufta për liri dhe pavarësi të Kosovës ka edhe këto momente të vështira”, thuhet në reagimin e tij. Tahiri ka shtuar se Thaçi i ka përshëndetur qytetarët dhe ka bërë thirrje për qetësi e besim. “Dielli do të lindë përsëri”, është mesazhi që, sipas Tahirit, ish-presidenti ua ka përcjellë qytetarëve të Kosovës.