Kryetari Xheladini pret në takim lamtumirës komandantin e KFOR-it në Dragash
Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka pritur sot në takim lamtumirës komandantin e Komandës Rajonale të Perëndimit të KFOR-it (RC-W), kolonelin Federico Mora. Gjatë takimit, kryetari Xheladini e ka falënderuar kolonelin Mora për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me institucionet lokale, duke vlerësuar veçanërisht kontributin e Njësisë së LMT-së në Dragash. Sipas njoftimit të kryetarit Xheladini, gjatë takimit është rikonfirmuar gatishmëria për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Komunës së Dragashit dhe KFOR-it, në funksion të sigurisë, stabilitetit dhe mirëqenies së qytetarëve. Kolonelit Federico Mora iu uruan suksese në angazhimet e tij të ardhshme, ndërsa u shpreh mirënjohje për bashkëpunimin e deritanishëm.
/Dragash Info/