Nedžmidin Sejdilar akuzon Komunën e Dragashit për diskriminim ndaj OJQ-ve gorane në ndarjen e subvencioneve
Nedžmidin Sejdilar ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Komunës së Dragashit për ndarjen e subvencioneve për organizatat joqeveritare në fushën e kulturës, duke e cilësuar atë si diskriminues ndaj komunitetit goran. Sipas tij, nga organizatat gorane, vetëm OJQ “Stars”ka përfituar mbështetje financiare në vlerë prej 3.000 eurosh. Ai thekson se themelues i kësaj organizate është Bećan Hadžiasan, drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Kadastër në Komunën e Dragashit. Sejdilar pretendon se të gjitha organizatat e tjera gorane, të cilat prej vitesh realizojnë projekte kulturore dhe ruajnë traditat, identitetin dhe datat e rëndësishme të komunitetit goran, kanë mbetur pa asnjë mbështetje financiare. Ai shpreh shqetësim edhe për mungesën e reagimit nga përfaqësuesit politikë të komunitetit goran në pushtetin lokal, duke përmendur JGP-në, të udhëhequr nga Adem Hoxha, zëvendëskryesuesin e Kuvendit Komunal Danis Hoxha, si dhe SDU-në e udhëhequr nga Duda Balje. Sipas Sejdilarit, heshtja e tyre ndaj këtij vendimi ngre pikëpyetje mbi mbrojtjen e interesave të komunitetit që përfaqësojnë. Ai gjithashtu vlerëson se edhe kryetari i Komunës, i cili sipas tij ka marrë mbështetje të konsiderueshme nga votuesit goranë, po merr vendime që lënë përshtypjen se interesat e këtij komuniteti janë lënë pas dore. Në reagimin e tij, Sejdilar thekson se gjatë mandatit të tij ishte përpjekur që shpërndarja e fondeve të ishte më e drejtë, në mënyrë që organizatat gorane të mos mbeteshin pa mbështetje, ndërsa shton se sot “pothuajse kudo shifra është zero”. Në fund, ai kërkon sqarime nga institucionet lidhur me kriteret e ndarjes së subvencioneve, arsyet pse shumica e organizatave gorane nuk kanë përfituar fonde dhe se kush do të mbajë përgjegjësi politike për këtë vendim. Burimi: Reagim publik i Nedžmidin Sejdilar.